Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, thotë se kryeministri Rama mashtron për vendet e punës në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, ai tha se emigracioni masiv është një nga treguesit e papunësisë në vendin tonë, dhe si për situatën ekonomike.
“Shqiptarët sot u njohën sërish dhe thjesht me mashtrimin e radhës, të pacipë si gjithmonë, por edhe në kufijtë e budallëkut edhe politik, por edhe shtetëror të Kryeministrit, ku sërish premtoi vende të reja pune. Ky mashtrim sistematik i shoqëron shqiptarët prej pesë vitesh me mijëra vende pune imagjinare në mendjen e Kryeministrit, ose më mirë me thënë, të sinqeritetit të Kryeministrit, i cili ngatërron vendet e punës së trafikantëve, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të fitojnë tendera në qeveri dhe të kultivuesve të kanabisit me vendet e punës që shqiptarët e ndershëm dhe biznesi kërkon. Përkundrejt mashtrimit publik të pacipë të Kryeministrit ka disa shifra të vërteta, të palëvizshme të cilat nuk mund të diskutohen dhe të komentohen, përveçse të reflektohet thellë dhe me shumë përgjegjësi. Së pari janë mbi 1 milionë shqiptarë në tre vitet e fundit që aplikojnë për llotari amerikane. Për fat të keq ndër këta shqiptarë ndodhet e gjithë Shqipëria, shqiptarët të papunë, shqiptarë mijëra të rinj, shumë shqiptarë të cilët edhe pse kanë një vend të caktuar pune kanë humbur shpresën te një vend, i cili i inkriminuar nga trafiqet është një vend i zymtë dhe i pajetueshëm, dhe për këtë shkak ata aplikojnë me qindra mijëra. Sërish dua të kujtoj që një sondazh i Gallup-it tregon qartë që 56% e shqiptarëve duan të ikin nga vendi. Është sigurisht një indikator i tmerrshëm, pasi Shqipëria renditet e dyta në botë, dhe Siria që ndodhet në një luftë të përgjakshme renditet e nënta. Besoj që janë fakte të cilat flasin kaq qartë, saqë çdo koment i mëtejshëm dhe çdo demagogji e mëtejshme e Kryeministrit do ishte veçse një vetëvrasje e tij. Eurobarometri i tij konfirmon që 50% e shqiptarëve duan të lënë vendin. Arsyet kryesore të këtij emigracioni masiv janë besimi i pamjaftueshëm, e thonë institucionet ndërkombëtare jo opozita shqiptare, ndaj qeverisë vendase dhe shpresës se kushtet ekonomike do të përmirësohen në të ardhmen. Papunësia e të rinjve, zyrtare është deri në 28%, se realisht është dhe më e lartë se sa kaq. Është fare e qartë se Kryeministri i vendit, i kriminalizuar si askush tjetër më parë në historinë e Shqipërisë, dhe as si askush tjetër që do ta pasojë atë shumë shpejt në drejtimin e vendit, vazhdon të gënjejë shqiptarët për punësimin, duke qenë i sinqertë vetëm në një çështje. Po, numri i trafikantëve është rritur. Numri i kriminelëve dhe organizimi i tyre është rritur. Dëshira dhe vullneti i qeverisë për ti luftuar ata është ulur, nuk ekziston, por më keq akoma, në mjaft raste është pjesë përbërëse e këtij krimi, inspiruese, mbështetëse dhe promovuese e tij. Dhe njëherazi kryeministri është gjithashtu shumë i sinqertë, kur u pohon shqiptarëve që integrimi nuk është prioriteti i tij por ai mezi pret që mos të ketë një hapje të negociatave për të kthyer sytë nga botë të tjera, në lindjen e Europës dhe për të justifikuar të gjithë skenarin e tij të errë pa shpresë i cili do ta kthente Shqipërinë në rrethana shumë më të zeza sesa përpara vitit 90. Por duke iu rikthyer dhe njëherë punësimit, shifrat e papunësisë janë dramatike, tragjike, mijëra shqiptarë e shikojnë atdheun e tyre si një vend të huaj për shkak të kësaj qeverisje të kriminalizuar e që nuk prodhon shpresë. Ndërkohë ky kryeministër gënjen e gënjen pa u lodhur. Do ta mbyllja se nuk gjej dot një mbyllje më të mirë, me fjalët e shkëlqyera të Oscar Wild që vlejnë saktësisht për këtë kryeministër. Oscar Wild i madh thotë: Ndonjëherë është mirë të qëndrosh i qetë dhe të dukesh budalla se të hapësh gojën dhe të heqësh çdo dyshim që je i tillë dhe ky është rasti pikërisht i kryeministrit tonë”, tha Vasili në komunikimin me mediat nga Selia e LSI.