ARMO ka rinisur prodhimin e naftës në rafinerinë e Ballshit duke rikthyer shqetësimet për një tjetër skenar grabitje të taksave të qytetarëve. Kompania offshore Byllis Energji, e cila e bleu ARMO-n përmes një skeme të dyshimtë nga Banka Credins, ka gjetur marrëveshjen me punonjësit duke rifilluar prodhimin. Syri.net ka mësuar se prej disa ditësh ARMO po punon me kapacitet të plotë, por nafta e prodhuar nuk është hedhur ende në treg, pasi po mbahet në depozita.
Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Byllis Energji është krijuar në prill të vitit 2017. Aksioner i saj është PGFS Pilotage & Gestion SA, një kompani guackë, e regjistruar në Zvicër, të përfaqësuar nga Joël Jacques Jean Chevallaz, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Administrimit në Bylis Energji. Por drejtuesit e Byllis Energji janë të njëjtit njerëz që drejtonin IRTC, kompaninë e cila e shfrytëzoi ARMO-n për më shumë se një vit duke lënë të paktën 50 milionë euro taksa të papaguara në shtet. Gjasat janë që edhe këtë herë po luhet i njëjti skenar që është luajtur prej kohësh: shfrytëzimi i ARMO-s nga kompani fantazmë, të cilat pasi krijojnë miliona euro borxhe në shtet largohen duke falimentuar. Këtë herë me ndihmën e rusëve.
Dora e rusëve
Rivënia në punë e ARMO-s përkon me mbërritjen në Shqipëri të Torbjörn Törnqvist, bosit të kompanisë Gunvor. Syri.net raportoi se dy ditë më parë, shefi i kompanisë Gunvor zhvilloi një takim sekret me kryeministrin Edi Rama, ku janë diskutuar detajet e fundit të marrëveshjes, që ja jep de facto ARMO-n, kompanisë Gunvor. Edhe pse formalisht, ARMO do të shfrytëzohet nga Byllis Energji, pronari i vërtetë i saj do të jetë Gunvor. Madje kjo kompani ka hyrë dhe si garante tek Bankers Petroleum, për të siguruar furnizimin e pandërprerë me naftë bruto të ARMO-s.
Qeveria i ka mbajtur sekrete negociatat me Gunvor, pasi kompania përflitet si e lidhur direkt me presidentin rus, Vladimir Putin. Në vitin 2014, qeveria amerikane e futi Gunvor, në listën e zezë duke e akuzuar publikisht se pas saj qëndron vetë presidenti Vladimir Putin. “Aktivitetet e Timchenkos në sektorin energjetik janë të lidhura direkt me Putin. Putin ka investime tek Gunvor dhe mund të ketë akses në fondet e saj,” deklaroi Departamenti Amerikan i Shtetit në mars të vitit 2014. Për shkak të lidhjeve me presidentin rus, në vitin 2014 presidenti amerikan Barack Obama, pezulloi operacionet financiare të Gunvbor në Shtetet e Bashkuara duke i sekuestruar llogaritë bankare.
Bllokimi i llogarive të Gunvor në vitin 2014 është cilësuar nga departamenti i shtetit si goditja goditja më e madhe që qeveria amerikane i ka bërë drejtëpërdrejt presidentit rus, Vladimir Putinit. Finalizimi i një marrëveshje, e cila do i kalonte naftën shqiptare një kompani të lidhur direkt me presidentin rus, Vladimir Putin do të përbentë një tronditje të fortë gjeopolitike duke vënë seriozisht në pikëpyetje marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët e saj strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.