Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, e ka cilësuar ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, fytyrën më të shëmtuar të një qeveri që nuk përballon dot të vërtetat e opozitës.
“Një ministër i Jashtëm, që nga pozita e karrigeve ministrore, i ruajtur dhe i mbrojtur nga Garda e Republikës, ofendon me fjalë rrugësh dhe godet Opozitën, është fytyra më e shëmtuar e një qeverie që nuk përballon dot të vërtetat e opozitës.
Në një botë, ku ministrat e jashtëm shpërfaqin elegancë, diplomaci dhe integrim, DiTRIMI i Qeverisë manifeston dhe vërteton me gjeste dështimin e tij dhe të qeverisë së tij përballë Europës, fiks përpara momentit kyç të marrjes së përgjigjes për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Me “mea culpa-n” në Facebook, mund t’i shpëtosh përjashtimit nga punimet e Kuvendit Ditmir, por të jesh i sigurtë, që nuk do të ngelet kancelari Europiane e më gjerë, pa parë videon tënde, kur godet opozitën”, shkruan Caka në një status në rrjetin social “Facebook”.