Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se seanca e së enjtes në Kuvend ishte historike. Në një intervistë në studion e ABC News ai tha se opozita nuk e lejoi Edi Ramën të flasë dhe e detyroi të dalë nga dera e pasme.
“Ngjarja e ditës ishte që Edi Rama doli nga Parlamenti duke përdorur derën e nevojtores ose të halesë”, – tha Berisha.
Ai akuzoi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati se ka futur armë në sallën e Kuvendit dhe se duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme.
“Ky është përshkallëzimi më i rrezikshëm në historinë e Kuvendit, më dramatik. Truprojat e Ditmir Bushatit hynë me armë në sallën e Kuvendit.
Armët nuk futen kurrë në Kuvend dhe nëse Edi Rama mendon se do i zgjidhë problemet me opozitën duke përdorur armët, atëherë po i bën gropën e madhe vetes shumë shpejt”, – tha Berisha.
Sa i përket hedhjes së miellit në drejtim të Edi Ramës, Berisha tha se ai simbolizon kokainën që përdor kryeministri.