Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Edi Rama, për vizitën në bujtinën e Llesh Docit në Lurë, pas takimit që mbajti me banorët e kësaj zone.
Me anë të një njoftimi, partia Demokratike, ka thënë se biznesi i Llesh Doçit, bujtina që ai ka në Lurë, është ndërtuar nga paratë e trafikut të drogës. Dy djemtë e tij, zbulon PD-ja, janë të përfshirë në vrasjen e bujshme të 2015-ës, që tronditi Tiranën. Në maj 2015 në bulevard “Zogu i Parë” u vranë tre persona.
“Edi Rama promovon biznesin e familjes në hasmëri për pazare droge. Mes dhjetëra familjeve punëtore e të ndershme në Lurë, Edi Rama zgjodhi për të qëndruar dhe për të bërë publik qëndrimin në familjen e Llesh Docit. Banorët e zonës përreth e dinë se biznesi i kësaj familjeve i ka bazat tek trafiku i drogës. Kronika e kohës tregon se dy djemtë e tij u përfshinë në një vrasje në maj 2015 në bulevard në Tiranë. Të dhënat flasin për prishje të pazareve të drogës në Holandë mes dy familjeve, njëra prej të cilave është ajo ku bujti kryeministri dhe ua paraqiti shqiptarëve si model suksesi”, thotë PD në denoncimin e saj.
Për vrasjen e trefishtë ndodhur para 3 viteve në qytetin e Tiranës, u arrestuan Markelian Llesh Doçi, 23 vjeç, Klejvi Llesh Doçi, 22 vjeç banues në Bulqizë dhe shtetasi italian Salvatore Letizia, 34 vjeç.
Në videon që Rama ka shpërndarë në “facebook” gjatë takimit me Llesh Doçin, pronari i bujtinës thotë se e ka ngritur biznesin me kursimet e tij dhe të bashkëshortes , të dy arsimtarë.