Deputeti i PD, Klevis Balliu ka reaguar pas akuzave të ndërsjella mes kreut të PD Lulim Basha dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për kapjen e 3.4 milionë eurove në Portin e Durrësit , të fshehura në dy mjete ‘Toyota Yaris’. Përmes një postimi në Facebook, Klevis Balliu thotë se policia po mbron personat në kërkim për transportin e 3.4 milionë eurove sepse janë të lidhur me Taulant Ballën, i cili sipas tij është edhe garantuesi i transportit të parave të drogës.
Statusi i plotë i Klevis Balliut:
Policia po mbron të kërkuarit për transportin e 3.4 milionë eurove, para droge, sepse ata janë të lidhur me Taulant Ballën.
Po të kishte lidhjen më të vogël me kryetarin e PD, siç e akuzon Balla në mënyrë qesharake, ata jo vetëm që do të ishin në pranga, por do të ishin gjykuar tashmë. Lënia e tyre në liri, në fakt tregon qartë se Policia dhe të gjitha strukturat e tjera po mbrojnë Taulant Ballën, në vend të zbulimit dhe goditjes së bandës që priste 3.4 milionë euro.
Garantuesi i transportit të parave të drogës është Taulant Balla dhe ai nuk mund të fshihet pas fotosh për përfshirjen e tij në këtë afere kriminale.