Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU në intervistë ekskluzive për DW (shqip) thotë se vendimi i Brukselit për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk mund të merret as si "po" e as si "jo".
DW: Zoti Frei, të enjten ishte parashikuar të bëhej një votim në Bundestag mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë, por nuk u bë, përse?
Thorsten Frei: Si koalicion qeveritar ne në fakt deri të martën donim që, në kuadër të debatit për deklaratën qeveritare të vinim në votë dy mocione për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por kur u pa që Këshilli i BE-së nuk do të merrte vendim, ne e lamë.
DW: Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk e përmendi fare zgjerimin e BE-së në fjalën e saj në Bundestag.
Thorsten Frei: Po, është e vërtetë. Zonja Merkel nuk foli për këtë temë. Meqë nuk pati ujdi me Bundestagun, ajo nuk kishte se si të fliste për negociatat në Bruksel. Në Bruksel u ra dakord se kjo çështje do të jetë sërish në agjendë në vitin 2019, pra, pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Por është e qartë se: Para se qeveria gjermane të japë votën e saj, ajo duhet të ketë një mandat nga Bundestagu gjerman. Pra, ende duhet të votojmë për mocionet tona.
DW: Në Shqipëri opozita e shikon vendimin e Këshillit të Ministrave si një "Jo", ndërsa qeveria e kupton si "Po".
Thorsten Frei: Nuk është vendimtar Këshilli i Ministrave të Jashtëm, por Këshilli i Bashkimit Europian. Meqenëse ky nuk ka marrë vendim fare, nuk është as "po", as "jo".
DW: Kur mund të fillojnë negociatat e anëtarësimit?
Thorsten Frei: Kjo do të varet, jo përpara fundit të vitit 2019. Ne, si grup parlamentar i partive CDU e CSU, do ta kishim mirëpritur qysh tani një vendim për çelje negociatash me kushte. Për Shqipërinë do të kishim qenë dakord për çeljen e negociatave nëse do të ishin përmbushur dy kushte: përfundimi i vetting-ut për 57 gjyqtarët dhe prokurorët më të lartë dhe përmbyllja e reformës zgjedhore. Pra, e thënë më saktë: Konferenca e parë e anëtarësimit do të bëhet vetëm kur zgjedhjet e reja për pushtetin lokal të zhvillohen në bazë të reformës së re zgjedhore të miratuar me konsensus.
DW: Kushtet për Shqipërinë janë të qarta. Po për Maqedoninë? Maqedonia ka marrë shtatë rekomandime tashmë nga Komisioni.
Thorsten Frei: Kjo është e vërtetë. Dhe çdo herë ka ngecur te vota e Greqisë. Prandaj është gjithsesi për t'u njohur fakti që dy qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë tani bënë një përpjekje për ta zgjidhur këtë grindje afro 30-vjeçare për çështjen e emrit Ende nuk është përmbyllur tërësisht. Nevojiten edhe votimet e parlamenteve, në Maqedoni madje kemi përpara edhe një referendum kushtetues. Pra, do të jetë shumë e vështirë, prandaj do të kish qenë mirë që Këshilli i BE-së të dërgonte një sinjal pozitiv te popullsia e Maqedonisë.
DW: A mendoni se do të ketë destablizim të gjendjes në prag të referendumit të shtatorit?
Thorsten Frei: Ky rrezik nuk mund të përjashtohet. Nga ana tjetër ekziston edhe një sinjal i qartë që ky vend ka një perspektivë europiane. Fakti që nuk u morr një vendim për këtë çështje nuk ka të bëjë me Maqedoninë. Sidomos në Francë ekziston opinioni se Bashkimi Europian është i vetë problemi, dhe si i tillë ai nuk mund të jetë i aftë për zgjerim. Por unë jam i mendimit, se premtimi i Selanikut është kryesori dhe se ne orientohemi nga përparimet që ka bërë vendi.
DW: Në shtyp pati së fundi spekulime, se Shqipëria mund të ofrojë strehime për migrantët. Ndërkohë ky lajm është përgënjeshtruar zyrtarisht nga Shqipëria. A ka pasur ndonjë propozim të tillë?
Thorsten Frei: Unë e kam lexuar në gazeta. Politikisht kjo tek ne nuk u diskutua kurrë. Prandaj edhe kam mirëkuptim për vendimin e Shqipërisë për t'i hedhur poshtë këto përfytyrime.
Nuk mund të pritet kurrsesi prej Shqipërisë që të "sakrifikohet" për këtë çështje. Përse u dashka sakrifikuar? A nuk do të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së? Kampet pritëse do të kenë kuptim vetëm jashtë BE-së. Kështu që, bëjmë mirë që zgjidhjen ta gjejmë në vendet e Afrikës së Veriut. Anila Shuka (DW)