Ngjarja e Dhërmiut tani kur sezoni turistik po shënon kulmin është oguri më i keq, dhe tregues se Shqipëria është vend i pasigurt. Ndodh pikërisht tani kur pritet që turistët të vërshojnë në bregdetin shqiptar, për të qenë lajmi më i keq përkundër asaj çfarë ka nevojë ky vend dhe qytetarët shqiptarë. Kjo ngjarje zeron marketingun dhe milionat e qeverisë në mediat ndërkombëtare për të iu bërë thirrje të vijnë në Shqipëri, e ndërkohë hedh poshtë dhe gënjeshtrat e kësaj qeveria e cila përmes statistikave zyrtare manipulon çdo ditë dhe kjo ndodh dhe në konferenca me ndërkombëtarët qofshin këta ekspertë apo ambasadorë!.
Pikërisht ishte konferenca me emrin “Forca e Ligjit” e mbajtur para ca ditësh ku vetëm forcë të ligjit mbi krimin nuk po shohim, kur pas 3 ditësh turistët në Dhërmi ia mbathin me vrap për tu shpëtuar plumbave, teksa janë me pushime!.
Një gjë të tillë e tha në mënyrë të drejtpërdrejtë ambasadori amerikan Lu që policia ka dështuar ndaj është koha që kriminelët të futen në burg dhe krimi të goditet. Të tilla konferenca prej të cilave harxhohen dhe para nga buxheti i shtetit në sallat më të shtrenjta të Tiranës duhet të jenë një mesazh i qartë që të nesërmen e tyre strukturat e shtetit të nisin luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, por kjo nuk po ndodh. Ngjarja në Dhërmi të hedh poshtë gjithçka. Kurrsesi krimi nuk luftohet me konferenca, takime, deklarata, por me veprim në terren ndaj tij. Kjo qeveri, forcën e ligjit por e tregon ndaj artistëve, qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi të cilët vënë një tullë në shtëpitë e tyre, apo ndërrojnë tjegullat e çatisë së shtëpisë, etj. Sa herë ka takime apo konferenca me temë “Forca e Ligjit”, ka paralajmërime për goditje të ashpër të krimit dhe korrupsionit, arrestimin e peshqve të mëdhenj, por qytetarët po shohin vetëm show, e ndërsa grepi nuk është hedhur fare!. Krimi çdo ditë, sa herë i duhet të jetë aktiv po bën kërdinë, nuk mungojnë rastet kriminale ku pjesa më e madhe e tyre kanë lidhje me ngjarjet që rrjedhimisht e kanë kriminalizuar Shqipërinë si kanabizimi, apo kthimi i Shqipërisë si vend sigurt transiti i drograve të forta si kokaina dhe heronia!