Nga Genc Juka
Ish-Drejtor i AKU-së
Lajmet sensacionale në opinionin publik kanë afektuar edhe sektorin e sigurisë ushqimore. Kur lajmet nuk bazohen në fakte edhe argumente teknike bëhen më të dëmshme se vetë mbetjet toksike apo hormonet në prodhimet me origjinë bimore dhe shtazore.
Informacione të tilla të pa argumentuara nuk përbëjnë asnjë efekt pozitiv dhe krijojnë konfuzion tek konsumatori vendas dhe i huaj. Sikur lajmet të jenë të ndërtuara me argumente profesionale dhe shkelësit e rregullave të përdorimit të gabuar të inputeve bujqësore të dënohen, atëherë lajmi do të jetë i shëndetshëm për konsumatorin.
Teknologjitë bashkëkohore në kultivimin e bimëve bujqësore kanë në bazën e tyre përdorimin e plehrave kimike, pesticideve, hormoneve, etj. Në bujqësinë e integruar përdorimi i këtyre inputeve në llojet, mënyrën, kohën, dhe dozat e caktuara janë çelësi i përftimit të një produkti kompetitiv dhe të pastër.
Kemi konstatuar veprime amatore në media duke treguar njollat e bardha apo damarët jeshilë në domate, ngarkesa të larta bakteriale, apo përqindje të lartë të aflatoksinës në qumësht. Do të ishte më e dobishme nëse për këto probleme do të bazoheshim tek opinionet shkencore të ekspertëve të perimeve, kimistëve dhe biokimistëve, të tregtarëve të inputeve,dhe të dietologëve. Është e vërtet që hormonet janë substanca jo të mira për shëndetin, por duhen njohur llojet që nuk lejohen, koha, produktet dhe doza e përdorimit, etj.
Natyrisht konsolidimi i sistemit të gjurmushmërisë do të kërkojë rritjen e shkallës së përgjegjësisë për prodhuesit. Të identifikosh një produkt bujqësor, nëse ai është prodhuar me një sjellje jo profesionale dhe të ndërgjegjshme të fermerit, është ndërmarrje e vështirë për konsumatorin.
Sistemi do të bëhet efecient kur operatorët e biznesit bujqësor do të kenë kodet e identifikimit dhe kur institucionet ligjzbatuese do të identifikojnë lehtësisht produktet e tyre, dhe kur shkelësit e rregullave të mbajnë përgjegjësi penale.