Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka deklaruar se buxheti i shtetit humbi 3.6 miliardë lekë për shkak të qarkullimit të parave të pista. Në një status të postuar në profilin e saj në Facebook, deputetja demokrate shprehet se ishte pikërisht zhvlerësimi i euros që shkaktoi një gropë në buxhet me një vlerë prej rreth 30 milionë eurosh. Sipas Kadiut, për ironi të fatit, kjo është shifra që mjafton për rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar nga qeveria.
Statusi i Kadiut në Facebook
Ja se si qarkullimi i parave të pista sjell menjëherë efekte, jo pas disa kohësh.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmetaj tha në një konferencë për shtyp se brenda 6 muajve buxheti i shtetit, për shkak të zhvlerësimit të euros ka humbur 3.6 miliard lekë.
Dhe ndaj qeverisë i duhet të marr një borxh 500 milion euro që të maturojë dhe borxhet e mëparshme.
A e dini sa janë këto 3.6 miliardë lekë?! Rreth 30 milion euro, aq sa duhen për godinën e Teatrit Kombëtar.
30 milionë i ka humbur vendi vetëm nga futja e madhe e euros së zezë. Në këto kushte jemi në një situatë që më mirë pranojmë borxhin se sa zhdukjen e një pasurie kombëtare.