Me rastin e festës së Ditës Kombëtare të Malit të Zi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij malazez Milo Ðukanoviç, me anë të cilit i shpreh urimet më të ngrohta për këtë ditë të shënuar.
“Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, vlerësoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet e shkëlqyera e tradicionalisht miqësore e të bashkëpunimit midis Shqipërisë e Malit të Zi, janë forcuar e zgjeruar në dy dekadat e fundit si asnjëherë më parë”, shkruhet në telegramin e Presidentit Meta.
Mesazhi i plotë i Metës për homologun malazez
I nderuar Zoti President,
Më lejoni që me rastin e Ditës Kombëtare të Malit të Zi, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta, për Ju dhe popullin mik e fqinj të Malit të Zi.
Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, vlerësoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet e shkëlqyera e tradicionalisht miqësore e të bashkëpunimit midis Shqipërisë e Malit të Zi, janë forcuar e zgjeruar në dy dekadat e fundit si asnjëherë më parë.
Falë traditës shumëshekullore të fqinjësisë së mirë, si dhe vizionit të përbashkët euroatlantik, këto marrëdhënie kanë krijuar hapësira të reja bashkëpunimi dhe janë bërë shembull pozitiv në rajonin tonë.
Vendimet më të fundit të ndërmarra nga qeveritë e të dy vendeve tona, për të shtuar pikat e kalimit ndër-shtetëror dhe zhvilluar vlerat e përbashkëta ekonomike e turistike në brezin kufitar, do t’i japin një shtysë të re bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal.
Ne jemi krenarë për rolin e rëndësishëm që shqiptarët në Malin e Zi kanë luajtur për stabilitetin, pavarësinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit Tuaj.
Jam i sigurt se e ardhmja e bashkëpunimit midis dy vendeve tona do të jetë e shkëlqyer, pasi partneriteti dhe miqësia që na bashkon është tepër solide dhe e sinqertë.
Me urimet më të mira për Ju personalisht dhe zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Malin e Zi, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Ilir Meta
_________________________________
Shkëlqesisë së Tij,
Zotit Milo Ðukanovi?
President i Malit të Zi
PODGORICË