Ndonëse mbeten të paqarta motivet e ekzekutimit të ish-policit Boran Bërçama dhe bashkëjetueses së tij, hetimet janë fokusuar në pistën e vrasjes për shkak të së kaluarës së tij në radhët e Policisë së Shtetit, ku kishte shërbyer për disa vite si agjent krimesh, por edhe me strukturat e rendit.
Nga hetimet në këtë drejtim ka rezultuar se 30-vjeçari ka qenë një efektiv problematik dhe jo korrekt në detyrë. Burime konfidenciale nga grupi i hetimit thonë se ndaj Bërçamës, gjatë kohës që ka qenë në detyrë, kanë nisur disa ecuri për masa disiplinore. Po sipas burimeve, ish-titullarët e Policisë së Shkodrës, por edhe drejtuesit aktualë, kanë dyshime të forta se i ndjeri, si gjatë kohës në detyrë, por edhe pas largimit me dëshirë nga policia, ka qenë bashkëpunëtor i një grupi kriminal të rrezikshëm në qytetin verior.
Për këtë arsye, 30-vjeçari ishte tranferuar inspektor rendi në Fushë-Arrëz, para se të jepte dorëheqjen në muajin prill. Mbi vërtetimin e personalitetit të Bërçamës mësohet se verifikime po kryen edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave. Megjithëse janë kryer disa veprime në terren dhe janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët që mësohet se kanë qenë dy persona.
Pasi kryen vrasjen, autorët dogjën edhe makinën me të cilën u larguan, duke humbur çdo gjurmë të mundshme. Ish-polici u ekzekutua me një armë automatike MP5 së bashku me bashkëjetuesen Silvi Ndoci, rreth orës 1 të mëngjesit të së dielës, teksa po parkonte automjetin e tij. Breshërisë së plumbave i shpëtoi fatmirësisht fëmija i tyre 2-vjeçar, i cili qëndronte në sediljen e pasme.
Për ngjarjen e rëndë mësohet se në Shkodër ka shkuar vetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe Drejtori i Policisë Kriminale, Eduard Merkaj./Tch