Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me qindra qytetarë të Durrësit.
Në fjalën e tij Lideri i opozitës e vuri theksin te lidhja e mazhorancës me krimin dhe rrezikun e madh që ka për vendim varësia e saj nga mafia dhe krimi i organizuar.
Kreu i opozitës tha se ka ardhur koha që demokratët bashkë me qytetarët të sjellin ndryshimin në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë pas shumë vitesh tiranie mafioze të krimit dhe korrupsionit, arsyet kryesore të shkatërrimit të zgjedhjeve te lira.
Takimi i Bashës me qytetarët e Durrësit përkoi me dy vjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, e cila, siç vuri në dukje Basha, është një reformë e shkatërruar në themel.
Basha u kërkoi qytetarëve ta shihnin çështjen e Teatrit jo vetëm si një aferë korruptive, por si çështje e lirisë së tyre personale, përsa kohë Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka marrë nën kontroll çdo pushtet.
“Çështja e Teatrit Kombëtar është beteja për të rikthyer shtetin ligjor, ose fundi i shtetit ligjor, i shtetit të së drejtës dhe fillimi i një diktature të krimit, e cila, atë që po bën me Teatrin, nesër do ta bëjë me pronat tuaja, me shtëpitë tuaja. Kemi arritur aty ku nuk mban më. Sepse Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk do të ndalen, po nuk i ndalëm ne”- u shpreh Kryetari i PD.
Basha tha se Shqipërisë i duhet një qeveri ku Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm të mos jenë të lidhur me krimin, që kane prioritet ekonominë e qytetarëve të zakonshëm dhe jo pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit.