Në rast se do kishim një fije besimi se reforma në drejtësi do kishte rezultate të mira, rasti ishte te një gjykatës që qëndron prej katër vjetësh përtej mandatit të tij, që Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar të ushtrojë këtë detyrë, si dhe te 13 milionët e paditura që ky në moshë pleqërie ia paska marrë pleqve të tij të varfër. Nuk ka njeri më të politizuar se gjykatësi i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Për emrin e tij, Rama rrëzoi të gjithë kandidatët e Gjykatës së Lartë në mënyrë që i përzgjedhur i tij të ishte i përhershëm në çdo vendimmarrje në gjykatën në fjalë. Komisionerët e drejtuar nga 99-shi i Erion Velisë, Roland Ilia dhe anëtarët Firdes Shuli (relatore) dhe Etleda Çiftja, e kryen deri në fund porosinë e partisë. Ata që të fiknin derën për një mijë apo dymijë euro që nuk ia vërtetonin dot një prokurori e gjykatëse, te rasti i Dvonarit nuk i panë 13 milionët e paverifikuara të pasurisë dhe besuan plotësisht se këto ishin nga “kursimet e pleqve”.
Dvorani është modeli se si nuk duhet të jetë një gjyqtar i Shqipërisë. Një njeri i politizuar, me formim profesional të dyshimtë, ai e ka treguar veten se është një ushtar i bindur i partisë. Dvorani është nga stoqet e drejtësisë enveriste të para vitit 1990, një ndryshk profesional i pavlefshëm për asgjë. Karriera e tij administrative e nisur në kohën e ministrit socialist Thimio Kondi në vitin 1997 dhe e mbyllur në vitin 2005 kur Fatmir Xhafaj ishte ministër i Drejtësisë, ia la radhën asaj profesionale të gjykatësit të lartë. Nuk kishte njeri që nuk e dinte që Dvorani ishte një militant i Partisë Socialiste. Për këtë arsye një kandidat për deputet i partiçkës së Erion Velaj, G99, njohur ndryshe si partiçkë e pinjollëve të Bllokut e gjithë farës së keqe komuniste, ishte komisioner “i pavarur” që hetioi e dha vendimin për Dvoranin. Dvorani tërë këto vite ka qenë një ushtar i partisë. I gatshëm të rrëzonte çdo nëpunës civil që ishte hequr padrejtësisht nga puna. Prania e mëtejshme e këtij ushtari na e heq edhe atë fije besimi që mund të kishim te reforma në drejtësi, e cila po rezulton një proces për të fuqizuar brezin e dytë të komunistëve në sistemin e drejtësisë.