×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Teatri Kombëtar, Meta ia pret shkurt Veliajt: Kush ka vërejtje të lexojë faqen e Presidencës

Hënë, 30 July 2018 16:57

Presidentit i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar nga Pusteci në lidhje me akuzat e bëra prej kryebashkiakut të Tiranës, për kthimin mbrapsht të ligjit të së Teatrit Kombëtar.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave të pranishme, Meta është shprehur se ‘kush ka kontestime apo vërejtje për kthimin e ligjit, e ftoj që t’i referohet gjithmonë faqes zyrtare të Presidentit të Republikës’.

“Jam i sigurt që argumentet, të cilat janë dhënë nga Institucioni i Presidentit, bazohen vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në marrëveshjet ndërkombëtare ku ne jemi palë dhe të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe padyshim në të gjithë legjislacionin tonë në fuqi, dhe gjithmonë duke vënë në plan të parë interesin tonë kombëtar dhe publik.”, tha Meta.

Pyetje: Një koment për vizitën tuaj sot në Pustec?

Presidenti Meta: Ishte një kënaqësi që të merrja pjesë sot në festën e Shën Marenës të zhvilluar në Manastirin dhe Kishën e Shën Marenës. Një festë mjaft e veçantë jo vetëm e bashkësisë këtu në Pustec, por edhe mjaft miqve e të ftuarve edhe nga zona të tjera të Shqipërisë, edhe nga Maqedonia. Një festë që i bashkon njerëzit dhe që u jep shpresë dhe forcë për të ardhmen, por njëkohësisht edhe një festë që i forcon themelet tona të bashkëjetesës.

Pyetje: Zoti President, pas mosdekretimit të ligjit mbi teatrin, ka ardhur reagimi i disahershëm i kryebashkiakut Veliaj. Ai thotë se pas dyzet ditësh mazhoranca do ta rivotojë këtë ligj. A keni një koment?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment, përveç faktit se cilido që ka kontestime apo vërejtje për kthimin e ligjit, e ftoj që t’i referohet gjithmonë faqes zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi jam i sigurt që argumentet, të cilat janë dhënë nga Institucioni i Presidentit, bazohen vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në marrëveshjet ndërkombëtare ku ne jemi palë dhe të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe padyshim në të gjithë legjislacionin tonë në fuqi, dhe gjithmonë duke vënë në plan të parë interesin tonë kombëtar dhe publik.

Pyetje: Shkolla e Magjistraturës duket sikur ka ndezur një tjetër luftë politike në vend. Partia Demokratike është kundër, ndërsa Partia Socialiste kërkon miratimin e saj?

Presidenti Meta: Unë jam i bindur se nxitja e konfliktit as nuk i  ka shërbyer deri më tani Reformës në Drejtësi, dhe as nuk do t’i shërbejë në të ardhmen. Vendi ka nevojë për një Reformë në Drejtësi, e cila bazohet fort te pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë, te integriteti i krijimit të tyre. Dhe në këtë drejtim unë inkurajoj vetëm dialogun për të zgjidhur çdo çështje në mënyrën më transparente dhe me integritet.

Pyetje: Zoti  President, vettingu e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, madje pa thënë, edhe pa Gjykatën e Lartë? Ku po shkojmë kështu?

Presidenti Meta: Besoj se duhen të ndërmerren sa më parë të gjitha ato hapa, që përforcojnë efektet pozitive të Reformës në Drejtësi, por pa krijuar kurrsesi boshllëk apo paralizë të institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë.

Pyetje: Ndërkombëtarët kanë bërë me dije se pa një reformë drejtësie të çuar deri në fund, nuk mund të ketë negociata në qershorin e vitit të ardhshëm? A jemi të gatshëm ne për ta çuar këtë reformë deri në fund?

Presidenti Meta: Është për të ardhur keq që po kalojnë dy muaj nga përfundimet e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe ende nuk ka një vullnet të përbashkët për të lexuar në mënyrë objektive të gjitha ato kërkesa, të cilat vendi duhet të plotësojë në mënyrë që mos të kërkojnë përsëri fajtorë qershorin e ardhshëm për çdo dështim në të ardhmen.

Pyetje: Duke qenë mbi palët, ju keni një sugjerim për Reformën në Drejtësi, për klasën tonë politike? Çfarë do t’i sugjeronit?

Presidenti Meta: Jam i bindur se reforma mund të ecë përpara vetëm kur të gjithë përpiqen të respektojnë Kushtetutën, frymën e Kushtetutës, dhe një kohësisht larg çdo tentative për ta politizuar atë në ekstrem, pasi çdo cenim i integritetit të ecurisë së krijimit të institucioneve të reja nuk i shërben besueshmërisë dhe efektshmërisë së kësaj reforme.

Login to post comments