Teksa i gjithë fokusi i mazhorancës është përqendruar në kapjen e drejtësisë, nga përtej Adriatikut na vijnë lajme të kapjes së sasive të kanabisit shqiptar. Media italiane njoftoi se sot në brigjet e Salenos në Leçe u kapën 500 kg kanabis dhe u arrestua skafisti shqiptar.
Gomonia me drogë kishte mbërritur në Puglia nga Shqipëria vetëm pak orë më parë. Shqiptari 32-vjeçar, Arsen Xhaferri, i kishte ende rrobat e lagura në trup. Marijuana ishte e izoluar hermetikisht në thasë me simbole të ndryshme. Sipas Financës italiane llogaritet që droga e sekuestruar të kapte vlerën e 600 mijë euro.
Situata alarmante vjen në një kohë kur policia shqiptare deklaron se nuk ka asnjë parcelë të mbjellë me kanabis, deklarata këto kontradiktore, pasi vetë policia shpërndan vazhdimisht operacione të suksesshme të zbulimit dhe asgjësimit të bimëve të hashashit, rasti më i fundit ai i Tepelenës vetëm dy ditë më parë.
Duket se puna e Ramës në këtë muaj të nxehtë vere do të jetë lodhshme, koordinimi i dërgesave me kanabis përtej Adriatikut nga njëra anë dhe koordinimi me veglat e tij në komisionet e vettingut për të kapur drejtësinë shqiptare do të jetë sfida kryesore e sezonit.