Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike se i ka siguruar mburojë politike biznesmenit të arrestuar pak ditë më parë në Greqi, Edmond Bego.
Ai ka pranuar para gazetarëve, në një dalje publike para gazetarëve se biznesmenin në fjalë e njeh familjarisht , por thotë se nuk i ka ofruar asnjëherë mbrojtje politike, sa i takon të shkuarës së tij të mëparshme.
“Begon e njoh, gruan e tij dhe fëmijët të e tij të shkëlqyer, janë nxënës shembullorë, moshatarë me tim bir dhe dua t’ju them me garanci që kurrë nuk i është ofruar një mburojë e tillë dhe përgjigjen më të mirë e dha dje policia e shtetit”, u shpreh Balla, për trafikantin, i cili më herët është dënuar në Itali si pjesë e bandës së Aldo Bares.
Në njoftimin e policisë 9 vite më parë nënvizohej fakti se i arrestuari Manoli Bega, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë njihej dhe me disa emra të tjerë si: Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Gjithashtu në njoftimin e policisë së dhjetorit 2009 thuhej se i arrestuari ishte i përfshirë në një organizatw kriminale ku bënin pjesë edhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, ndërsa ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinimin e aktivitetetit dhe pjesëtarëve të tjerë të organizatës, si dhe organizator për shpërndarjen dhe administrimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Sipas vendimit të gjykatës Italiane Bego ishte dënuar në Torino në vitin 2008 me 13 vite burg për akuza të rënda. Por edhe pse në Itali ishte dënuar me 13 vite burg, bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë në Tiranë në 2010, Bego u lirua për më pak se 3 vite burgim.