Taulant Balla jo vetëm i konfirmoi akuzat që e lidhnin me njeriun e besuar të Aldo Bares, por tregoi dhe miqësinë familjare që kishte me këtë person, dikur trafikant droge, sot biznesmen ndërtimi në Tiranë. Taulanti përdori familjen e Begos si afrimitet, ndonëse nuk tha asgjë se si e njeh nga afër trafikantin e dënuar në Itali, deputeti socialist kapërceu direkt te bashkëshortja e Begos dhe fëmijët e tij.
“Personin në fjalë sigurisht që e njoh. njoh bashkëshorten e tij, dy fëmijë të shkëlqyer, nxënës shembullorë, moshatarë me tim bir” u shpreh Balla, duke dalë garant se mbrojtje politike Mond Bego nuk kishte pasur kurrë nga PS.
Por nga kryesia e Kuvendit, Balla shkoi më tej kur foli për trafikantin biznesmen. E quajti atë “një njeri të thjeshtë dhe të zakonshëm”, viktimë e luftës politike PD-PS. Madje sipas Ballës, Bego po trajtohet pa të drejtë nga media, sepse “një person nuk mund të vuajë të njëjtin lajm, si para 10 vitesh, kur e ka kryer dhe pasi e ka kryer një vepër të caktuar penale”.
Taulanti zgjodhi të mbronte trafikantin e dënuar në Itali, në krah të deputetëve gjermanë që ndodhen në Shqipëri për të diskutuar mbi Reformën në Drejtësi dhe integrimin e vendit tonë.
Një përdorim i ulët ky i Ballës, duke përdorur deputetët gjermanë si mburojë për qëllimin e vërtetë të deklaratës për shtyp.