Avokati dhe juristi kosovar Dastid Pallaska ka komentuar në Fax News debatin e fundit lidhur me korigjimin e kufijve në Kosovë, duke thënë se kjo është një ide e paprecedentë, e cila nuk do të materializohet më tej.
Pallaska hodhi akuza dhe në drejtim të qeverisë shqiptare duke thënë se ideja e korigjimit të kufijve është hedhur fillimisht nga Edi Rama në vitin 2016, ndërsa roli që ai personalisht ka pasur është në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
‘’Ideja e korigjimit të kufijve është e papranueshme, është hedhur fillimisht në diskutim nga ana e kryeministrit shqiptar Edi Rama në vitin 2016.
Mendoj se qeveria shqiptare vijon që të jetë e papërgjegjshme, kryeministri shqiptar vetëm sa i ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se ideja e korrigjimit të kufijve nuk do të shkojë më tutje dhe nuk do të materializohet.
Klima ndërkombëtare dhe rrëmuja që është krijuar këto ditë mund të bëjnë që Serbia të përfitojë nga kjo situatë. Unë mendoj se kërkesa e vetme e Kosovës ndaj Serbisë duhet të jetë njohja formale nga ana e saj.
Kosova duhet të dëgjojë kushtet e Serbisë, po kjo nuk do të thotë që duhet të pranojë ndonjërën prej tyre. Thaçi është kyçur në debat në mënyrë të papërshtatshme, kjo është një politikë e papërgjegjshme, nga e cila do të ketë kosto të mëdha për Kosovën”, deklaroi Pallaska.
Avokati u shpreh i bindur se ndërkombëtarët janë në një mendje sa i përket rastit të Kosovës, dhe asnjë shtet nuk synon korigjimin e kufijve pasi kjo do të sillte përkeqësimin e marrëdhënieve në të gjithë rajonin.
Sipas tij edhe pse SHBA-ja dhe vendet e BE-së kanë pasur konflikte mes tyre, qëndrimi për Kosovën do vijojë të jetë i unifikuar, dhe ajo që duhet të nxitet është vijimi i dialogut mes dy vendeve.