Vjedhja me uniformat e policisë, ministria e Brendshme, 10 mln euro në dy vjet

E mërkurë, 22 August 2018 12:41

Ministria e Punëve të Brendshme ka rishpallur tenderin për blerjen e uniformave, këpucëve dhe pajisjeve të tjera për policinë, me një fond prej 9,5 milionë eurosh.

Në tetor të vitit 2017, Ministria e Punëve të Brendshme anulloi tenderin e dytë të uniformave të policisë me justifikimin se asnjë prej kompanive ofertuese nuk përmbushi kriteret. Tenderi u anullua pavarësisht dy ceremonive prezantuese dhe përfshirjen personale të Presidentit turk Erdogan.

Gjatë vitit 2016, Ministria e Brendëshme organizoi dy tendera për uniformat e policisë, duke i paraqitur ato në publik në ceremoni pompoze, në të cilat qindra policë bënë paradë me veshjet e reja.

Në janar 2016, ministria nënshkroi një kontratë më Marsi&Al shpk, me vlerë rreth 808 mijë euro, për uniformat e Policisë së Shtetit. Edhe këto uniforma u paraqitën në një ceremoni të madhe të quajtur Policia e Gjeneratës tjetër. Por në shtator 2016, mediat bënë të ditur se Ministri Tahiri e kishte anuluar kontratën me Marsi&Al, për shkak të cilësisë së dobët të uniformave.

Gjatë ceremonisë së dytë në nëntor, tashmë të uniformave “cilësore”, ministri Tahiri u kujdes të falenderonte presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan “për mbështetjen e tij personale”.

Është ende e paqartë se cila kompani ka prodhuar uniformat herën e dytë, por duke pasur parasysh se tenderi i kësaj here të tretë është shpallur edhe në gjuhën angleze, përveçse në shqip, nuk do të ishte surprizë nëse tenderin e fiton një kompani e huaj me lidhje të ngushta me qeverinë turke.

“Exit.al”

Login to post comments