Gjermania: Meta veproi mirë, ‘Teatri’ do tregojë sa serioz është Rama me BE

E mërkurë, 22 August 2018 13:05

Raportuesi gjerman i grupit parlamentar CDU/CSU për Shqipërinë ne Bundestag, Thorsten Frei në një interviste për gazetën “Panorama” u shpreh se “Rasti i Teatrit Kombëtar do tregojë sa serioz është kryeministri Rama me anëtarësimin në BE”.

Anëtari i parlamentit gjerman vlerëson vendimin e kreut të shtetit Meta, i cili nuk e dekretoi hyrjen në fuqi të ligjit që i hap rrugë prishjes së teatrit

“E kam ndjekur rastin. Ngre shumë pyetje në lidhje me ligjin e BE-së dhe Kushtetutën shqiptare. Presidenti Meta me të drejtë e ktheu ligjin përsëri në parlament dhe në mënyrë të qartë është vështirë të qartësohet rasti mbi sundimin e ligjit pa gjykate funksionale. Rasti i Teatrit Kombëtar do të tregojë se sa serioz është Ei Rama me anëtarësimin në BE”, ka thënë Frei. I pyetur për bllokimin e shkollës se magjistraturës pasi opozita ka vendosur kushte per miratimin e ligjit deputeti gjerman thotë se qeveria duhet të ofrojë kompromis.

Frei ka folur edhe për negociatat, teksa ka sqaruar se ato do të çelen vitin e ardhshëm vetëm në rast se do të bëhet përparim në dy drejtime kryesore, përfundimi i vetingut, realizimi i reformës zgjedhore, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve lokale në përputhje me standardet. “Natyrisht, nuk ka asnjë mënyrë automatike për të nisur negociatat e pranimit verën e ardhshme. Vendimi u shty në fund për shkak të mangësive ekzistuese”, ka thënë Frei.

Zoti Frei, ju, si raportues i Shqipërisë, keni ndjekur nga shumë afër zhvillimet në vendin tonë dhe keni shpjeguar rolin e Bundestagut gjerman në vendimin e BE-së për të hapur negociatat e pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që u duk se në Këshillin Europian, në qershor, u bë një hap përpara për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ka debat këtu nëse në qershor të vitit të ardhshëm hapja e negociatave do të jetë automatike apo do të ketë një vendim të ri, pozitiv ose jo? A mund ta shpjegoni këtë duke iu referuar rolit të Bundestagut.

Natyrisht, nuk ka asnjë mënyrë automatike për të nisur negociatat e pranimit verën e ardhshme. Vendimi u shty në fund për shkak të mangësive ekzistuese. Sipas pikëpamjes sonë, ka dy deficite të mëdha. Së pari, përfundimi i vetingut për 57 gjykatësit dhe prokurorët më të lartë, pra, funksionimin e pavarur të gjykatave më të larta. Së dyti: përfundimi i Reformës Zgjedhore dhe zgjedhjet lokale, të cilat mbahen nën regjimin e një ligji të ri zgjedhor. Vetëm nëse këto eliminohen, unë jam i sigurt se Bundestagu dhe veçanërisht Grupi Parlamentar i CDU/CSU do t’i rekomandojë qeverisë federale që të miratojë hapjen e negociatave të pranimit në Këshillin Europian.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe çfarë mendoni ju se do të bëjë Gjermania?

Gjermania, siç thamë, do të mbështesë dhe do të ndihmojë për të gjitha reformat e nevojshme. Por, sfidat më të mëdha qeveria shqiptare duhet t’i zgjidhë së bashku me shoqërinë shqiptare. Reformat, të cilat janë dakordësuar me opozitën dhe ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe prioritetet kyçe të lidhura me to, mund të vazhdojnë të përmbushen dhe jo vetëm në letër.

Ju dhe kolegu i CDU-së, VVadephul, keni qenë mjaft të hapur në intervistat e mëparshme ndaj Saimir Tahirit, duke kritikuar mbrojtjen e tij politike, si dhe për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke nënkuptuar që ai nuk mund të qëndrojë me besueshmëri në detyrë pas skandalit që përfshiu atë dhe vëllain e tij. A mendoni se këto pikëpamje reflektojnë një qëndrim më të gjerë në Berlin?

Po. Sipas standardeve gjermane, ai ndoshta nuk do të mbetej në detyrë. Faktori vendimtar është gjithmonë presioni i shoqërisë sonë shumë të fortë civile.

Kriza e fundit që kemi në Parlament, ka të bëjë me një projekt ndërtimi në qendër të Tiranës të Teatrit Kombëtar, të cilin qeveria e ka nxitur me një ligj të posaçëm dhe opozita e quan një mashtrim të madh. Ajo ka mobilizuar edhe qytetarë dhe figura publike dhe ka kapur vëmendjen edhe të medias ndërkombëtare. Presidenti e ka dërguar ligjin përsëri në Parlament dhe Komisioni Europian është duke kontrolluar nëse ai e shkel Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. E gjithë kjo, pa asnjë Gjykatë Kushtetuese funksionale. A e keni ndjekur këtë?

Po, e kam ndjekur rastin. Ngre shumë pyetje në lidhje me ligjin e BE-së dhe Kushtetutën shqiptare. Prandaj, nga këndvështrimi im, Presidenti Meta, me të drejtë, e ktheu ligjin përsëri në Parlament. Dhe në mënyrë të qartë është e vështirë të qartësohet rasti mbi sundimin e ligjit, pa Gjykatë funksionale. Rasti i Teatrit Kombëtar do të tregojë gjithashtu se sa serioz është Edi Rama me anëtarësimin në BE. Shkolla e Magjistraturës është bllokuar dhe është bërë një çështje politike pasi nuk mund të funksionojë sipas ligjit të aprovuar dy vite më parë nga shumica.

Ndërkohë që është bërë një ligj i shumicës së cilësuar, opozita ka kushte për miratimin e tij. Cili do të ishte qëndrimi juaj, meqë keni komentuar më herët mbi Reformën e Drejtësisë?

Ligji siguron një nga levat e pakta që ka opozita. Prandaj, është e kuptueshme që PD-ja dhe LSI-ja të kenë kërkesa me miratimin e tyre. Në fund, është në dorë dhe përgjegjësia e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij për të gjetur një kompromis, për të nxitur reformat e nevojshme dhe për të arritur përparim konkret në rrugën drejt Europës. /Panorama.al/

Modifikuar më E mërkurë, 22 August 2018 13:06
Login to post comments