Gjithmonë në këto 25 vitet e fundit, diçka i ndodh pjesës më të madhe të diplomatëve të rëndësishëm në Shqipëri. Diçka që i shndërron nga personazhe krejt të zakonshëm të vendeve nga vijnë, në superstar-at e një vendi ku tranzicioni nuk ka të sosur edhe pas përpjekjeve të shumta të ndërkombëtarëve.
Ambasadorë që flasin për gjithçka, ambasadorë që janë pjesë e shfaqjeve televizive, ambasadorë që jetojnë në realitete paralele me atë të vërtetin që jetojnë shqiptarët. Dhe së fundmi, një ambasadore grua që me zor po shkulet nga Shqipëria edhe pse i ka mbaruar mandati. Një zonjë, që veç kritikave të forta të opozitës për qëndrime jo korrekte, përtej akuzave për blerjen e një vile disa milionëshe në një zonë rezidenciale, ka patur gjithmonë admirimin e politikanëve të majtë, që duket se e kanë bërë atë të besojë që mund të jetë dhe një modele e rrjeteve sociale.
Përndryshe, nuk mund të shpjegohet që në faqen zyrtare të zyrës së BE në Tiranë, publikohen foto të zonjës Vlahutin që ndërsa merr titullin qytetare nderi e Vlorës, pozon përpara një pasqyre ku shkruhet : “për ty do të thyeja dhe rregullat”.
Ndoshta pak ditë para largimit jo fort të lavdishëm nga Shqipëria, ambasadorja ka dashur të thotë se për disa gjëra ja vlen të shkelësh rregullat. Gjë që siç duket i ka vajtur për mbarë dhe kur disa ditë më parë ka postuar po në profilin zyrtar të zyrës së BE në Tiranë një tjetër foto, ku ministri i brendshëm Xhafaj shfaqet si i dërguari i perëndisë, i adhuruar nga ambasadorja Vllahutin.
Se ç’mund ta lidhë kaq fortë një ministër të përfolur si të padenjë për postin edhe nga zyrtarë të lartë të BE, me të dërguarën e Brukselit në Tiranë, këtë vetëm zonja Vllahutin mund ta shpjegojë.
Por meqë ajo ka vendosur të flasë me fotot e saj më shumë se me deklarata, mjafton një shfletim i tyre në profilin zyrtar të zyrës së BE, për të kuptuar se më shumë se bodyguardët që i qëndrojnë ngjitur në çdo moment, zonja në fjalë ka një kujdes të shtuar për paraqitjen e saj në foto, në veshje dhe në kurimin e imazhit. Si për të na kujtuar që reforma në drejtësi, lufta kundër drogës dhe trafiqeve, dekriminalizimi i parlamentit apo dhe nisma të tjera europiane, kanë emër të fortë kur i dëgjon. Por kur vishen dhe prezantohen si ambasadorja në Tiranë, humbasin shumë nga serioziteti me të cilin nisin, për t’u “shqiptarizuar” dhe zhvlerësuar.
Nuk di a ka ambasadorë të tjerë që adhurojnë kaq shumë botën e showbizit në Bruksel, por nëse ka, duhet të lutemi që mos të t’i bien më pjesë Shqipërisë, që boll halle ka me pamjen dhe dukjen e kryeministrit të saj./Exit.al