TAP përfundon punimet në vendin tonë, Shqipëria mbetet pa investitorin kryesor

E mërkurë, 29 August 2018 10:26

Gazsjellësi TransAdriatik TAP ka përfunduar 99 për qind të punë në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur nga bashkimi i kompanive që deklaroi se 213 kilometra tubacione janë shtruar tashmë në Shqipëri, nga 215 kilometra që parashikon projekti.

Në total TAP do të ketë një gjatësi prej 878 kilometrash prej të cilave 550 kilometra janë në Greqi, 215 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në Detin Adriatik dhe 8 kilometra në Itali.

Nëse projekti ecën me të njëjtin ritëm edhe në muajt e mbetur, parashikohet që gjatë vitit 2019 do të bëhen testimet e para, ndërsa në vitin 2020 pritet të nisë veprimtaria dhe sasia e parë e gazit të mbërrijë në Evropë.

TAP është pjesë e korridorit Jugor të Gazit dhe projekti më i rëndësishëm energjitik për BE-në. Ndërtimi i gazsjellësit do të furnizojë vendet e BE-së me gaz nga Azerbaxhani me qëllim uljen e importit të gazit nga Rusia.

TAP do të lidhet më gazsjellësin Trans—Anatolian (TANAP) në kufirin e Greqisë me Turqinë, më pas duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik do të përfundojë në brigjet e Italisë së Jugut.

Investimi i plotë për ndërtimin e TAP në Shqipëri është 1,5 miliardë euro, duke u bërë kontribuesi më i madh në stokun e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).

Përfshirja e Shqipërisë në këtë projekt, e ka përfshirë vendin në hartën evropiane të energjisë. Përfundimi i punimeve dhe investimit është një lajm i keq për Shqipërinë dhe qeverinë, e cila duhet të thithë investime të reja të huaja.

Alarmin për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte e kanë ngritur dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe agjensia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s. Këto institucione, ndër të tjera rekomandojnë dhe zbatimin e reformave, luftën ndaj korrupsionit, respektimin e të drejtës së pronës dhe forcimin e institucioneve si faktorë që do të përmirësojnë ndjeshëm klimin e biznesit, do të tërhiqnin investime të reja dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit./exit.al

Modifikuar më E mërkurë, 29 August 2018 10:36
Login to post comments