Opozita e bashkuar shpall platformën, Basha: Kriminelët në burg

Hënë, 03 September 2018 17:51

Opozita e bashkuar i shpalli sot luftë të pakthyeshme dhe të panegociueshme aleancës qeveri-krim. Nga Shkodra ku opozita caktoi të zhvillojë mbledhjen e jashtëzakonshme për situatën në të cilën ndodhet ky qytet i tronditur javët e fundit nga vrasje mafioze, Kreu i PD-së Lulzim Basha shpalli platformën kundër krimit dhe ofertën e opozitës për shqiptarët. Basha garantoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me mazhorancën e Edi Ramës. Kryedemokrati shtoi se qëllimi i opozitës është fuja një orë e më parë e kriminelëve në burg.

Basha: Ne jemi këtu për dy arsye, e para për të dhënë një mesazh të prerë për qytetarët e Shkodrës kundër bandave dhe krimit të organizuar. Në më pak se tre muaj, janë rrëmbyer të paktën dy persona, për fatin e të cilëve dyshohet më e keqja. Ndërkohë, nga media lokale raportohet se para një jave ka ndodhur edhe rrëmbimi i dy fëmijëve të cilët janë rikthyer në familje vetëm pasi mafia ka arritur qëllimin e tyre të gjobëvënies.

Këtu duhet të ishte kryeministri i Shqipërisë për të raportuar arrestimin e kriminelëve që terrorizojnë prej 6 muajsh qytetin e Shkodrës. Edi Rama është në Tiranë me Jurges Çyrben, me Taulant Ballën, me Fatmir Xhafën dhe shumë eksponentë të tjerë të faktuar si persona të lidhur me krimin e organizuar. Kjo është arsyeja e dytë se pse opozita mblidhet këtu.

Nuk ka shqiptar që ta kuptojë se ka hipokrite janë thirrjet që vijnnë sot nga foltoret e Kuvendit se sa të dëshpëruara janë bojatisjet e propagandës për bashkëpunim. Me këtë të bashkëpunojmë? Me Agron Xhafën? Me Taulant Ballën, të cilit pasi i plasi skandali i Toyota Yaris dhe pastrimit të parave të pista të Drogës pohoi me gojën e tij se është mik me një prej anëtarëve të Bandës së Lushnjës, i dënuar me 21 vite burg në Itali, Edmond Bego.

Sot kufiri midis krimit dhe qeverisë është shuar përfundimisht. Edi Rama bashkëpunoi haptas me kriminelët në qytetin e Shkodrës. Bashkëpunoi haptas me familja Dobraçaj. Kontrollin në Shkodër e kanë bandat e krimit të organizuar. Ky është realiteti në Durrës

Para disa ditësh, krimi i organizuar goditi me breshëri automatiku shtëpinë ku flinin fëmijët e një gazetareje. Janë rrëmbyer dhe zhdukur qytetarë, janë vrarë të tjerë, siç ishte rasti i Arjan Ferracakut. Sot Dobraçi duhet të ishte tërësisht nën kontrollin e policisë, por në fakt është shtetrrethim i vërtetë kriminal ku rojet private të armatosur vendosin kush lëviz dhe kush jo. Në një lagje të Shkodrës nuk lëviz dot lirisht sikur të ishim në gjendje të luftës. Në gjunjë është edhe policia e Shkodrës. I bëj thirrje drejtorit të policisë së Shkodrës të japë dorëheqjen. E vetmja që të shpëton nga përgjegjshmëria morale dhe ligjore është largimi yt. Krimi u ka marrë kalanë nga brenda, u ka marrë Fatmir Xhafajn, kampionin e reformës në drejtësi.

Si mund t'i kërkohet opozitës të ulet të bëjë ligje dhe reforma me Fatmir Xhafajn që duhet të ishte nën hetim nga ligji antimafia. Si mund t'i kërkohet opozitës të negociojë me Taulant Ballën e Toyota Yaris, i cili pranon publikisht se ka mik një trafikant droge.

Modeli 5 vjeçar i Edi Ramës na ka sjellë këtu. Për pushtetin e tij, Edi Rama bëri pakt me kriminelët nga jugu në veri nga lindja në perëndim. Për pushtetin e tij, ju hapi rrugë kriminelëve në polici. Kaluam nga një ministër i brendshëm që bënte vetë drogën, tek një ministër i Brendshëm që bën drogën me vëllain e tij.

Sfidat që kemi përpara ka përmasa akute. Shqipëria nuk mund ta durojë më këtë gjendje. Ka përmasa historike. Nuk mund ta lëmë vendin të boshatiset. Çdo ditë shkojmë prapa dhe jo para në raport me Evropën. Vetëm ata që ia kanë shitur krimit shpirtin për jetën e tyre me luks, me chartera privatë si Edi Rama, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj me shokë mund të pranojnë që të boshatisen qytete të tëra.

Ne vijmë këtu plotësisht të vetëdijshëm edhe për të metat tona për t'u zotuar para shqiptarëve se nuk do t'i lëmë vetëm me krimin e organizuar. Shqipëria nuk qeveriset më. Edi Rama është një figurinë që vetëm hedh firma për të grabitur me PPP dhe për të plotësuar tekat e tij duke harxhuar miliona për udhëtime jashtë shtetit, vetëm për makina aq sa është ndihma ekonomike për 8 muaj.

Detyra jonë duke filluar nga sot të gjejmë rrugët, mënyrat, të formulojmë aksionin dhe platformën politike për t'i dhënë fund kësaj gjendje të padurueshme për Shkodrën për t'i dhënë vendit demokraci, rend dhe shtet të së drejtës. Le të fillojmë nga e para, shkëputjen e qeverisjes nga krimi, dhënien fund të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin.

Modifikuar më Hënë, 03 September 2018 21:09
Login to post comments