Në qoftë se ka pasur ndonjë grimë sinqeriteti të qeverisë shqiptare në shpërndarjen e librave falas, Rama e ka asgjësuar atë. Shikojeni pak kryeministrin, që pasi ka shfletuar kujtimet e diktatorit Hoxha “Mes njerëzve të thjeshtë” troket në dyert e familjeve shqiptare duke imituar këtë skenar aq qesharak sa edhe tragjik. Ky kryeministër, mirë që u jep libra falas(në fakt borxh), por shkon nëpër disa familje dhe u kujton se “unë po ju jap libra falas”. E konsideron si gjë të madhe, si një triumf që sipas fiqirit të vet, nuk duhet ta lejë tek niveli i Lindita Nikolles, por duhet të shkojë me këmbët e veta për t’ja plasur në fytyrë se po jep...çfarë?Libra falas!
Me këtë cinizëm të mprehtë, ajo copëz politikë sociale apo bamirësie e qeverisë u shndërrua në fakt në një akt arrogance. Por, cinizmi nuk mbaron këtu. Këto libra nuk po jepen falas, por borxh dhe nxënësit do të jenë detyruar t’i kthejnë në fund. Së dyti, tek nxënësit po ushqehet një politikë anti-didaktike, duke u bërë presion nxënësve që të mos i prekin librat. Këtu lind pyetja se si do mësojë një fëmijë kur nuk mund të prekë dot librin. Së treti, kjo fushatë vjen si ambalazhim i eksodit të ri të shqiptarëve që ka mbirë me ardhjen e Edi Ramës në pushtet. Në qarkun e Fierit këtë vit do të mbyllen 16 shkolla 9-vjeçare si pasojë e tkurrjes së numrit të nxënësve për shkak të emigracionit masiv.