Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka braktisur koalicionin qeverisës. Është mbledhur pasditen e sotme Këshilli Kombëtar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i cili mandatoi kryetarin e saj Shpëtim Idrizin për të negociuar me Partinë Demokratike dhe opozitën për një koalicion zgjedhor. Vendimi për shkëputje nga qeverisja e Ramës vjen fill pas disa ngjarjeve që kanë ndodhur kohët e fundit, siç ishte largimi i dy deputeteve nga PDIU, ku Reme Lala iu bashkua PS dhe Elena Xhina në Elbasan, doli e pavarur.
‘Mollë sherri’ siç duket u bë Bashkia e Dibrës, shqetësime që i ka bërë publike edhe vet kryeministri Edi Rama. Ky i fundit shprehte shqetësimin e tij nga fuqizimi politik i drejtuesve lokalë të PDIU në Dibër.
Aktualisht deputet i vetëm i PDIU është Dritan Bici, i cili pak kohë më parë zuri vendin e Aqif Rakipit, pasi KQZ-ja i hoqi mandatin deputetit të qarkut të Elbasanit për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Në mbledhjen e këshillit kombëtar pritet të votohet Shpëtim Idrizi si negociator me Partinë Demokratike, për një afrim të kësaj force politike me partinë opozitare më të madh në vend.