Një foto e shpërndarë nga deputeti socialist i Librazhdit Taulant Balla na risjell në vëmendje pafytyrësinë e socialistëve në raport me shqiptarët. Ai shpërndan foton e një përqafimi me një plakë të moshuar duke treguar se është afër qytetarëve. Por të gjithë shqiptarët e kuptojnë se kjo është faza e kërkimit të votave, pasi vendi do ti nënshtrohet zgjedhjeve për Bashkitë në vitin e ardhshëm.
Edhe pse shqiptarët në foto shikojnë Taulant Ballën teksa përqafon një të moshuar, për vetë deputetin në mendje është fiksuar se sot u përqafua me një votë dhe për këtë votë ia vlen të kujtohesh njëherë në 2 vjet. Aq herë sa ka zgjedhje.
“Nuk e dija që jetonin shqiptarët në këtë gjendje”. Kjo ishte fjala e parë që Rama regjistroi për t’u shpërndarë shqiptarëve kur vizitoi një familje të varfër në një fshat të Shijakut. Video ishte e filmuar me kujdes dhe e montuar në mënyrë të atillë për të treguar dhembshurinë e kryeministrit Rama.
Kohët e fundit kemi parë një tjetër qasje të kryeministrit Rama me publikun. Madje ai u ka kërkuar edhe deputetëve dhe ministrave të tij që ta ndjekin në stilin e ri të propozuar nga Endri Fuga.
Kemi parë se si Rama është shfaqur në kanalin e tij në “Facebook” ERTV, por edhe në televizionet kombëtare në misione bamirësie. Ka vizituar disa familje në varfëri ekstreme duke u premtuar rindërtimin e shtëpive.
Paralelisht me këtë, ai është shfaqur herë me ministren Nikolla e herë vetëm, duke shpërndarë libra për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Nuk mbeten më pas, në misionin e shpërndarjes së librave, ministret Nikolla e Manastirliu si dhe ministrat Klosi e Bushati, të cilët gjithashtu janë shfaqur duke shpërndarë tekste tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Klosi ka përuruar edhe shkollën e re në Syzez në Berat dhe ka premtuar të tjera investime, kurse Bushati është mjaftuar me shërndarje librash.
Vitin tjetër janë zgjedhjet lokale dhe pamje dhembshurie dhe puthje dore do shohim për ditë. Kjo është qasja më e re e urdhëruar nga Endri Fuga.