Ish-Kryeministri Berisha flet me shqetësim se po shkohet drejt një zgjidhje politike-juridike dhe aspak teknike lidhur me marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një intervistë për Televizion Klan, Berisha thotë se pakti është i gjithi i negociuar vetëm nga pala greke dhe se nuk bazohet në traktatin e detit.
“Me marrëveshjen që pala greke i ka dorëzuar veglave të tyre në negociata, Shqipëria humbet 1300 km katror det dhe trilionat e naftës dhe gazit. Që në takimin e dytë, pala greke ka kërkuar zgjidhje politike-juridike dhe jo teknike, që Greqia kalon nga 6 në 12 milje dhe do t’i japë pala shqiptare ca ranishte dhe ujëra të pavlerë”.
Për ish-Kryeministrin, kushti i vënë nga Athina zyrtare për mosnjohjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e bën marrëveshjen antikushtetuese.
“Tre takime kanë bërë, që në të parin pala greke i ka thënë se ne s’e njohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Që në këtë moment, i bazuar në mosnjohjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është fund e krye antikushtetues. Pala shqiptare duhet të ngrihej nga tavolina dhe t’i thoshte se negociatat morën fund”.
Reagimi që solli në Tiranë e Athinë deklarata e Presidentit Meta se në kushtet e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese do të ishte e udhës që kjo marrëveshje të shtyhej, Berisha e sheh si një padi që palët po i bëjnë kreut të shtetit.
“Kjo përbën një padi që qeveria antishqiptare i bën institucionit të kreut të shtetit të Shqipërisë për qëndrimet e tij kushtetuese”.
Dozën e kritikave nuk e kursen edhe kur pyetet për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare nën qeverisjen e Edi Ramës.
“Janë marrëdhënie vasaliteti të turpshme, të cilat nuk mund të kenë as perspektivë dhe as të ardhme”.