×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Pse qan Taulant Balla?

Saturday, 27 October 2018 15:11

Sot ishte dita e shumëpritur e Taulant Ballës për të realizuar ëndrrën e vjetër për tu bërë Ministër i Brendshëm. Burime të 55news thanë se edhe Taulanti ishte në dijeni të letrës së dorëheqjes së Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit dhe në këto dy ditë ka bërë çmos që të ndikojë Ramën për t’u emëruar ai në këtë detyrë.
Por Rama, thonë burimet, i ka shprehur “Nuk dua të marr një tjetër risk. Ti do jesh ministri i tretë i imi që do gjykohesh për lidhjet me krimin”. Dhe me kaq e ka mbyllur këmbënguljen e Ballës duke propozuar Sandër Lleshin.
Rama, pas largimit të Tahirit, i cili më pas u akuzua për lidhje të forta me bandën kriminale të Habilajve, kishte piketuar Taulant Ballën për postin e Ministrit të Brendshëm. Balla, një njeri i përulur i kryetarëve, mund të ishte një zgjidhje e mirë e Ramës, për të mbajtur nën kontroll pushtetin e fuqishëm që buron nga informacioni policor.
Balla nuk e ka shuar asnjëherë shpresën e tij për të marrë portofolin e Ministrit të Brendshëm dhe kjo dëshirë, me shumë mundësi i është shtuar kur ka nuhatur se shefi i madh i tyre, nuk kishte simpati për Fatmir Xhafaj.
Por, atëherë kur Taulant Balla, i cili vetëm formalisht gëzon numri 2 të Partisë Socialiste, po shpresonte të arrinte qëllimin e tij, ai përballet me akuza të forta nga opozita për lidhjet me persona të krimit të organizuar.
Taulant Balla rezulton se është lidhje e ngushtë shoqërore me Mond Begon, një trafikant narkotikësh, i dënuar me 20 vjet burgim në Itali, si pjesë e bandës së Aldo Bares. Pasi dolën në media informacione për lidhjet e tij me Begon, Taulant Balla u detyrua të pranojë publikisht njohjen dhe miqësinë familjare me të.
Kjo lidhje u pasua me një kosto të lartë politike, jo vetëm për Ballën, por edhe për Kryetarin e Partisë, Edi Rama. Njerëz pranë Taulant Ballës janë të bindur se lidhja e tij me Mond Begon është bërë publike nga fijet që lidhen me Fatmir Xhafajn.
Taulant Balla, pas këtij episodi, u përball edhe me akuzën e ngritur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se ai ishte garant i mbërritjes së 3.4 milionë eurove të një grupi kriminal nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet automjeteve “Toyota Yaris”. Balla e ironizoi deklarimin e Bashës, por vetëm pak ditë më pas, policia zbuloi në Portin e Durrësit shumën e parave.
Maxhoranca, pas zbulimit të parave, akuzoi segmente të Shërbimit Sekret se i kishte dhënë informacion Lulëzim Bashës dhe se ky i fundit, me bërjen publike, mund të kishte ndikuar në dëmtimin e një hetimi në zhvillim. Në fakt, informacioni për mbërritjen e 3.4 milionë eurove ka qenë vetëm në dispozicion të policisë, e cila menaxhohej nga Fatmir Xhafaj. Tek kjo linjë mund të kërkohet edhe burimi i informacionit që lidhte sasinë e parave me Taulant Ballën.
Së fundi, emri i Ballës u shfaq edhe në rastin “Xhisiela”, në Krujë. Nënkomisar Emiljano Nuhu, i cili po hetonte për dhunimin e Xhisiela Malokut nga Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja, deklaroi publikisht se ishte kërcënuar me armë, në zyrën e tij, në praninë e Taulant Ballës.
Natyrisht, edhe në këtë rast, maxhoranca akuzoi denoncuesin për shpifje dhe mbrojti Taulant Ballën, duke mohuar kategorikisht se ai ka qenë në postën policore të Fushë-Krujës ditën që pretendon se është kërcënuar oficer Nuhu.
Pas goditjeve të njëpasnjëshme që mori Taulant Balla, ai tashmë nuk mund të realizojë ëndrrën e tij të shumëpritur për të zëvendësuar Fatmir Xhafajn në postin e Ministrit të Brendshëm. Balla tashmë duhet të shohë se si gjeneral Skënder Lleshi do të marrë në dorë frenat e policisë.

Modifikuar më Saturday, 27 October 2018 15:14
Login to post comments