Gjatë vizitës zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi një takim në Asamblenë Kombëtare Popullore me Z. Hu Ke Ming, anëtar i grupit të miqësisë “Kinë-Shqipëri”.
Kryemadhi falënderoi Z.Hu për mikpritjen dhe shprehu angazhim në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të nxitur më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke i vendosur një theks të veçantë projekteve të zhvillimit në kuadër të nismës “Një brez-Një rrugë”, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në një sërë fushash të tjera prioritare.
Z.Hu ndau me delegacionin e LSI-së vlerësimet e një bashkëpunimi të gjatë dhe konstruktiv ndërmjet dy vendeve dhe theksoi edhe njëherë vullnetin për t’i nxitur këto marrëdhënie më tej nëpërmjet bashkëpunimit mes Asamblesë Popullore dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Pasi vlerësoi rolin e LSI si pjesë e Parlamentit të Shqipërisë dhe deputetëve të saj, pjesë e grupit të miqësisë “Shqipëri-Kinë”, ndau disa fusha prioritare të bashkëpunimit si investimet, sipërmarrja dhe shkëmbimet arsimore e kulturore nëpërmjet Institutit Konfuci.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi përkrahu vazhdimin e shkëmbimeve ndërmjet 2 parlamenteve dhe grupeve të miqësisë. Ajo theksoi mundësitë e reja të bashkëpunimit që janë hapur në kuadër të iniciativës “Një Brez, Një Rrugë dhe Platformës “16+1”, si dhe fushave të tjera konkrete si Bujqësia e Turizmi, Drejtësia e Rendi. Kryemadhi shprehu vlerësimin për trendin pozitiv të rritjes së shkëmbimeve ekonomike tregtare si dhe pozicionimit të RP të Kinës si një ndër investitorët kryesor në vend.