Avokati i ri i Shtetit, lidhja me deputeten e PS dhe ‘Sorosin’

E mërkurë, 31 October 2018 12:57

Artur Metani është emëruar nga kryeministri Edi Rama, si Avokati i ri i Shtetit, pas orëheqjes së Alma Hickës.

Metani është vëllai i ish-ministres të Zhvillimit Urban dhe deputetes, Eglantina Gjermeni.

Nga shkurti i vitit 1999 deri në mars 2002, Metani ka punuar si koordinator ligjor pranë ‘Fondacionit të Shoqërisë së Hapur’, të George Soros-it në Shqipëri.

Po ashtu ai ka punuar si këshilltar i Presidentit Alfred Moisiu në vitet 2001-2012, më pas i Bamir Topit për drejtësinë.

Ndërsa së fundmi është bërë këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Departamentit të Legjislacionit dhe Anti-Korrupsionit në Kryeministri.

Metani u emërua nga Rama si Avokat i Shtetit, me propozim të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Rama, reagoi më herët për largimin e avokates Alma Hicka duke thënë se nuk është e vërtetë që e ka shkarkuar, por që ajo u largua për arsye personale.

‘Kazanët po ziejnë një broçkull për ‘shkarkimin’ e Alma Hickës. Në fakt Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit. Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses’, janë fjalët e Ramës.

Avokatin e ri të Shtetit, kryeministri nuk e përmendi në reagimin e tij.

Modifikuar më E mërkurë, 31 October 2018 13:09
Login to post comments