Deputeti i PD Bardh Spahia, ka dalë serish para mediave në lidhje me skandalin e ilaçeve të skaduara në QSUT, i cili ka marrë përmasa të tjera.
Ai ka denoncuar sot ministren Manastirliu, e cila emëron në krye të agjencisë kombëtare të barnave personin përgjegjës për ilaçet e skaduara në QSUT.
Deklarata e plotë
Ogerta Manastirliu thellon skandalin e ilaçeve të skaduara. Emëron në krye të agjencisë kombëtare të barnave personin përgjegjës për ilaçet e skaduara në QSUT.
Ilaçet në Shqipëri janë të pasigurta. Çdo shqiptar mund të dëshmojnë se ilaçet nuk bëjnë efekt dhe shumë prej tyre i blejnë ato në vende të BE apo SHBA.
Ilaçet e skaduara, ilaçet e pasigurta apo të fallsifikuara kanë hyrë në Shqipëri me vendim qeverie për të pasuruar një grusht klientësh të Mafias së Ilaçeve.
BARDH SPAHIA, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE, NËNKRYETAR I KOMISIONIT TË SHËNDETËSISË Skandali i 93% të ilaçeve të skaduara në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, është vetëm maja e ajsbergut e kalbëzimit nga korrupsioni i sistemit shëndetësor në vend. E vërteta është se QSUT-ja është kthyer në një kosh plehrash për disa kompani të lidhura me qeverinë, që zbrazin depot e tyre nga ilaçet në prag skadence, duke ia dhuruar gjoja Spitalit, për të kursyer qindra milionë lekë për asgjesimin e tyre.
Këtë process të kushtueshëm e ka marrë përsipër Ogerta Manastirliu, Ministrja që hesht dhe nuk tregon se kush ka përfituar nga depozitimi i ilaçeve të skaduara në QSUT dhe sa prej këtyre ilaçeve janë përdorur për pacientët. Ogerta Manastirliu e ka thelluar edhe më tej skandalin.
Drejtoreshën e Farmacisë së QSUT-së, Narvina Sinani, person direkt përgjegjës për skadimin e ilaçeve, e ka emëruar Drejtoreshë të Agjencisë së Barnave, e cila përgjigjet për sigurinë e ilaçeve në të gjithë vendin. Çfarë sigurie mund të kenë ilaçet kur tek e njëjta Agjenci, personi përgjegjës për kontrollin e farmacive është emëruar një stomatologe, e paliçensuar për të kryer detyrën e garantimit të popullatës për sigurinë e barnave?!
Sot çdo shqiptar dëshmon se shumica e ilaçeve nuk kanë asnjë efekt dhe se ata i blejnë sa të munden në vendet e sigurta të Bashkimit Europian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Korrupsioni dhe klientelzimi janë shndërruar në faktorët kryesorë që rrezikojnë jetën e qytetarëve nga ilaçet e skaduara, ilaçet e pasigurta apo atyre të fallsifikuara që kanë hyrë në Shqipëri me vendim qeverie për të pasuruar një grusht klientësh të Mafias së Ilaçeve.