Vonesa në dekretimin e propozimit të kryeministrit për ministrin e Brendshëm, është në të vërtetë pjesë e një debati mbi vlefshmërinë e një vendimi gjykate jo kompetente mbi një dekret presidenti. Aktualisht, presidenti Meta ka të drejtën e vet të jetë dyshues mbi fuqinë ose pafuqinë e një dekreti duke na bërë të qartë a është apo jo ushtarak z.Lleshaj. Vetë i përmenduri pretendoi gjatë një interviste se e ka rrëzuar dekretin e presidentit të Republikës që e nxori atë në lirim si ushtarak nëpërmjet gjykatës. Në shtetin antiligjor të Edi Ramës, një dekret presidencial sikurse një ligj nuk mund të shqyrtohen për vlefshmëri apo për mosvlefshmëri në asnjë gjykatë përveçse në Gjykatën Kushtetuese. Lleshaj pretendoi se shteti po paguan një “faturë të kripur” duke e njohur atë si ushtarak, ndërsa kryeministri e propozon si civil atë në postin e ministrit. Precedenti që ka hapur z.Lleshaj me dërgimin e një dekreti presidencial në gjykata jo kompetente është shumë i rrezikshëm sepse sipas kësaj praktike edhe ambasadorët e liruar me dekret presidenti mund të ankohen në gjykata e të kërkojnë para sepse duan të jenë më gjatë, sepse nuk kanë motiv aty, etj. Dekreti nuk duhet parë si akt administrativ me të cilin rregullohen marrëdhëniet e punës.