Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Panariti ka folur së fundmi për protestën e banorëve të Astirit. Ai është shprehur se flakja në rrugë e banorëve të Astirit është jo njerëzore dhe e paligjshme
“Së pari maxhoranca duhet ti qëndrojë premtimeve të saj, madje edhe kryetari i bashkisë, si pjesë të fushatës së tij për zgjedhje ka pasur si kalë beteje legalizimin. Pra normalisht atyre u është bërë një premtim dhe banesat që janë në proces të legalizimit, ti shkojë deri në fund.
Tani papritmas në funksion të zhvillimeve, që për hir të së vërtetës edhe ata si banorë nuk i kundërshtojnë, të gjithë e përqafojnë idenë e zhvillimeve të infrastrukturës, ndërtimit të rrugëve, por ata janë në të drejtën e tyre të plotë që të kërkojnë dëmshpërblim për atë investim, për atë mund atë sakrificë të jetës, sepse shtëpia është jeta, gjithë synimi i një familje është ndërtimi i një strehe, i një shtëpie, ajo është ABC e mirëqenies të tjerat janë në funksion të saj edhe në momentin që ti vendos ta rrënosh pa e kompensuar, pa i dhënë mundësinë të ndërtojë diku gjetkë, apo të blejë në tregun e banesave me një çmim që duhet të jetë proporcional me vlerën e investimit të bërë, sigurisht ti e flak në rrugë dhe aty ka krijuar një dramë të madhe, gjithsesi duhet ta ndjejë si në lëkurën e tij, mendo të të vijë dhe të të prishi banesën, dhe të thotë që shiko se oferta ime maksimale është që të qëndrosh 3 vjet me bonus qiraje.
Kjo natyrisht është shumë e dhimbshme, pra ku është substrati social i këtyre masave, praktikisht ata njerëz i flakën në rrugë të madhe, janë gra, janë fëmijë, që kanë investuar kursimet e jetës për ndërtimin e atyre banesave dhe papritmas, dhe pa asnjë lloj ndjeshmërie sociale flaken në buzë të rrugës. Ata janë në të drejtën e tyre dhe dikush tha dhe unë jam plotësisht dakord, 2 duar për një kokë, nëse ti më kërcënon ekzistencën, se banesa është ekzistenca dhe kuptohet që aty nuk më asnjë rrugë tjetër përveçse konfrontimit. Për mendimin tim, qoftë bashkia, qoftë qeveria është në momentin e duhur për të reflektuar, për të gjetur fondet që ata të kompensohen dhe tu hapin rrugën zhvillimit të infrastrukturës që e duan të gjithë.”, u shpreh Panariti.