Presidenti i Republikës, Ilir Meta po ndjek me shqetësim dhe vëmendje situatën konfliktuale të krijuar në Tiranë mes qytetarëve dhe autoriteteve për shkak të ndërtimit të Unazës së Re.
Presidenti Meta bën thirrje për vendosjen e një dialogu dhe konsultimi mes qytetarëve dhe autoriteteve, me qëllim që të gjithë ankesat të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe objektive.
Presidenti Meta u bën thirrje të gjitha institucioneve të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban në mënyrë që realizimi i tij të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi.
Presidenti Meta do t’i drejtohet institucioneve përgjegjëse për të marrë informacionin e duhur në lidhje me ndjekjen e procedurave të deritanishme për këtë çështje.
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të tyre.