Buxheti 2019, Mima: I dështuar, kaotik, sanksionin koncesionin pa fre të gjithçkaje

Saturday, 17 November 2018 13:43

Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima u shpreh për ATSH-në, se “Projekt-buxheti i vitit 2019, në fushën e të ardhurave, por edhe të politikave të reja të taksave, ai shpreh një filozofi të dështuar, të çoroditur, kaotike, ku ndërthuret dështimi për të mbledhur të hyrat e nevojshme publike me dorëzimin pa kushte përpara një grushti tatimpaguesish të klientelës, me tregimin e muskujve ndaj tatimpaguesve më të dobët e më të vegjël”.

Mima theksoi se, ky projekt-buxhet është në të njëjtën linjë me buxhetet e 5 viteve të fundit teksa tenton të vendosë në qendër të sistemit, administratën, inspektorin, shtetin, dhe si i tillë, ai nuk bën as me të voglën përpjekje për të lartësuar e ngritur në piedestal tatimpaguesin, hallet dhe problemet e tij.

“Shqipëria ka pasur fat të këtë një sistem tatimor të thjeshtë, pa shumë rregulla specifike, pa shumë trajtime preferenciale e pa përjashtime tatimore”.- tha Mima për ATSH. Deputeti Mima shprehet se, me keqardhje vërej se ky avantazh është humbur përfundimisht dhe sot askush nuk e di me siguri të plotë se në ç’kategori bie, cilat janë detyrimet e tij për libra e regjistrime, cilat janë detyrimet për deklarime periodike dhe transferim ditor të dhënash, cilat janë detyrimet për pagese etj etj.  Akoma më shumë, theksoi ai për ATSH-në, shtohet pasiguria kur tatimpaguesi njihet me planet e qeverisë për të koncensionuar tek privati aktivitetin e mbikqyrjes së lëshimit dhe kryqëzimit të faturave tatimore.

“Pushtetet lokale janë turrur në një garë të paprecedentë kush e kush të rrisë sa më shumë taksat e tarifat vendore e askush nuk merr mundimin ti thotë ‘ndal’ kësaj çmendurie e cila rëndon mbi shpatullat e tatimpaguesve më të vegjël e më të pamundur. Rreth 40 milionë usd më shumë do t’u kushtojë kjo çmenduri e taksave e tarifave vendore tatimpaguesve të vegjël”, tha deputeti i PD-së në intervistën për ATSH.

Sipas tij, në fushën e shpenzimeve publike, projekt-buxheti 2019 është konfirmimi më ekselent i nënshtrimit të shqiptarëve dhe parave të tyre përpara një grushti klientësh të cilët jo vetëm vjedhin qindra milionë euro sot, por po robërojnë shqiptarët dhe të ardhmen e tyre edhe për 20-30 vitet e ardhshme.

“Krimi më i madh i sanksionuar edhe në këtë projekt-buxhet është koncensionimi i pa fre i gjithçkaje ku oligarkët shohin fitime spekulative të cilat skllavërojnë popullin dhe trondisin themelet e financave publike edhe në çerek shekullin e ardhshëm”, – tha Mima për ATSH.

Ndërsa shtoi se, ky projekt nuk ndan asnjë qindarkë më shumë për bujqësinë, për arsimin, për shëndetësinë. Ai vetëm rrit faturën e përvitshme të koncensioneve e PPP-ve duke vështirësuar një qeverisje normale, të nesërme, pasi pesha e borxhit publik të tejrritur do të zërë poshtë vetes çdo iniciativë të mbarë për rritje pagash e pensionesh, për investime kapitale etj.

“Opozita ka kurajon dhe shumë shpejt, do të shpallë planin e saj emergjent për risjelljen në normalitet të financave publike dhe kjo do të kalojë pikësëpari nëpërmjet prezantimit të rregullave të rinj fiskalë që kanë të bëjnë me kufizime tejet të ashpra që parlamenti do të duhet të vendosë karshi ekzekutivit në lidhje me deficitin buxhetor, me borxhin publik, me të ardhurat, me shpenzimet etj”, deklaroi Mima në intervistën dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Login to post comments