Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha gjatë një takimi me përfaqësuesit e partisë së saj në Shkoder se nuk është kryeministri Rama ai që dikton axhendën e opozitës. Ajo theksoi se është opozita që e ka në dorë ta rrëzojë Edi Ramën, edhe me votë, edhe me protesta. “Dhe kur them që shqiptarët ndihen të nervozuar sepse nuk ka shpresë dua të them që kushdo është më i mirë se Edi Rama.
Ne e kemi në dorë për ta larguar dhe rrëzuar Edi Ramën, edhe me votë, edhe me protestë si të na dojë qejfi ne. Nuk na e dikton dot ne Edi Rama axhendën donë politike, jo vetëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por nuk e dikton dot Edi Rama axhendën politike të opozitës. Opozita e bashkuar është e vendosur për të krijuar fronin e madh kombëtar kundër bandave dhe krimit të organizuar, opozita është e vendosur për të kthyer dinjitetin dhe integritetin e Shqipërisë në vend, për të kthyer të rejat dhe të rinjtë shqiptar të cilt kanë ikur dhe janë kthyer në skllevër në rrugët e Europës, për tu kthyer dinjitozë në vendin e tyre, për ta ndërtuar vendin e tyre, për ta zhvilluar dhe për të ecur përpara”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Nga Shkodra Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar sërish çështjes së banorëve të Unazës së Re, për të cilët tha se ata duhet të dëmshpërblehen, ndërsa akuzoi kryeministrin se me anë të këtij projekti po siguron hapësira ndërtimi për oligarkët dhe klientët e tij. “Po e bën me qytetarët e Tiranës, ku i mashtroi dhe i intimidoi dhe i kërcënoi për ti marrë votën në 2017, tashmë sposton shtratin e Lanës për të krijuar hapësira ndërtimi për oligarkët dhe për klientët e tij me të ashtuquajturën “rrugë”. Të na thotë Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, sa kushton projekti i rrugës që ai do të ndërtojë mbi pronat e qytetarëve? Ku do t'i gjejë paratë dhe si do të financohen këto projekte? Përse duhet të prishen aq shumë ndërtime dhe aq shumë biznese për një projekt të tillë që në fakt nuk janë më shumë se 100 shtëpi? Përse Edi Rama po i kursen paratë për të kontribuar dhe për ti dëmshpërblyer qytetarët? 22 vjet këta banorë dhe këta qytetarë kanë paguar taksat e shtetit shqiptar, taksë pastrimi, taksë gjelbërimi e të gjitha me radhë. Ashtu siç kanë paguar nga 2-3 herë faturat për të legalizuar pronat e tyre. Jo nga pak lekë, por me miliona, me miliona dhe me miliona pafundësisht dhe pa llogaritur allishverishet që ne rëndomë i kemi parë se çfarë ka ndodhur në zyrat e ALUIZNI-t”, tha Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e LSI në Shkodër.