Nga Elona Caslli
Në të vërtetë Z. Kryebashkiak isha në dilemë therëse, të shkruaja diçka mbi deklaratën Tuaj të djeshme në Bashkinë e Tiranës ose jo.
Kjo dilemë vjen për shkak se ka disa qënie njerëzore që nuk janë të denja as për kundërshtim, por më nervozon aq shumë ai elementi Fëmijë-Burrë brenda Jush sa fitoi gjymtyra e parë e dilemës sime.
Tek Ju Z. Kryebashkiak dallohet qartazi prirja sistematike, për të riprodhuar dialogje apo situata të përjetuara në fëmijërinë e hershme, por duke qenë se përjetimi ka qenë i jashtëm dhe jo i brendshëm, riprodhimi është veçse artificial.
Hera-herës përpiqeni të luani fëmijën rebel në skenë, ndërkohë që tek Ju dallohet pa më të voglën vështirësi krejt e kundërta.
Dhe këtë rol e përcillni përmes një fjalori të gjymtuar , që përmban veçse një bashkësi emrash si “ Vlla, burrë, gishta, pemë, punë, dashuri, martesë, shpellarë’’ dhe një bashkësi foljesh si “ punoj, dashuroj, martohem, shoh” .
Në përgjithësi fjalitë i keni të thjeshta ; kryefjalë + folje+ kundrinor , e kjo ka gjasa që vjen nga formimi i cunguar gjuhësor.
Dëgjova deklaratën Tuaj dje në Bashkinë e Tiranës. Për të qenë korrekte me Ju , po e riprodhoj:
“Jemi të gjithë burra, i shkojnë sytë të martohet një burri me një vajzë pa gishta?”
- Z. Kryebashkiak kam përshtypjen se Z. Kryeministër duhet të hapë kurse riedukimi brenda Partisë Socialiste. Është mirë që t’i ndiqni rregullisht , pasi ndoshta kuptoni se në botë ekziston i ashtuquajturi “Kod i Etikës”.
Megjithatë, deklaratës Suaj të djeshme, e cila ngjan me një nga ato parashikimet që bëjnë gratë e ulura pasditeve të gjata të verës, rrëzë shkallëve të një pallati ,do t’i përgjigjem përmes një deklarate shkruar nga Charles Bukowski.
-Nëse takoj një grua të sjellshme, nuk dua t’ia di nëse ka një këmbë druri apo një sy xhami, ia mbath bashkë me të. Dhe kur them e sjellshme nuk nënkuptoj dikë që të më lajkatojë, por dikë që të jetë natyrshëm e sjellshme.
Charles Bukowski
E pra, Z. Kryebashkiak teksa keni riprodhuar dialogun e grave në shkallën ku jeni rritur, keni harruar se ka edhe burra të ndryshëm nga Ju në këtë botë dhe mbi të gjitha keni harruar se e vërteta Juaj nuk është detyrimisht e vërteta e mbarë njerëzimit.
Megjithatë, duke e vlerësuar shqetësimin që shprehni për qytetaren Tuaj, a nuk mendoni se është më e udhës t’ia përcillni këtë shqetësim Individit që dha urdhrin që vajza në fjalë të ishte në rreshtin e parë të policëve dhe mbi të gjitha pa pajisjet e nevojshme për një protestë?!
E mbasi ta keni paraqitur këtë shqetësim tek individët që janë vërtetë përgjegjës, përpiquni të rriteni.
Procesi i rritjes është i dhimbshëm, por është akoma më e dhimbshme të shohësh një Fëmijë-Burrë në krye të Bashkisë.