Tabaku: 5 vite propagandë, Shqipërinë reale e treguan studentët

E Enjte, 20 December 2018 22:00

Ndërsa në Kuvend vijojnë debatet për protestën e studentëve dhe dekretin e presidentit Meta për kthimin e buxhetit 2019, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nga foltorja e Kuvendit rikujtoi debatet e 2015-s me ministren Nikolla për Ligjin e Arsimit.

“Që në 2015 kur kam debatuar edhe me ministren, e cila më tha që e “vërteta do të më bjerë mbi kokë”. Në fakt e vërteta sot ka mbushur sheshet, sikundër sheshin përballë ministrisë dhe atë përballë kryeministrisë. Sot e vërteta është vetëm një; ajo çfarë Partia Demokratike parashikoi në korrikun 2015 për Ligjin e Arsimit të Lartë”. u shpreh Tabaku.

Më tej ajo duke kundërshtuar shifrat e ministrit Ahmetaj, Tabaku shprehet: “E dëgjova ministrin e financave që foli a thua se ishte shitës nga tregu i fruta perimeve. Krahasoi shpenzimet për arsim pa përmendur sa është Produkti i Brendshëm Bruto. Nëse është duke dëgjuar po e informoj që në 2013 kanë qenë 172 mijë studentë, shpenzimet për arsim 4.1% e PBB. Në 2018 janë 128 mijë studentë, 43 mijë më pak se 2013, dhe shpenzimet për arsim në buxhet 2.83% e PBB-së. Kështu që nuk është fare çudi që rritja e tarifave me 33% ka sjellë po të njëjtin nivel të ardhurash në buxhetin e shtetit. Pra 43 mijë studentë më pak të regjistruar, që janë larguar nga vendi dhe 70% e të rinjve që kanë mbetur në vend duan të largohen”

Sipas saj janë krijuar 7 institucione të arsimit të lartë që marrin para nga buxheti i shtetit që mund t’i shkonin universiteteve publike.

“Keni krijuar institucione dhe borde që janë në shumicë të emëruar nga qeveria duke cënuar rëndë autonominë. Ndërkohë që ministria Nikolla në një shkresë që kam këtu, e dëgjuar në nëntor 2018, u kërkon universiteteve që të heqin fjalën Autonomi nga projektstatuti sepse nuk e njeh ligji për arsimin e lartë!”, tha Tabaku.

Për deputeten demokrate studentët kanë rrëzuar çdo propagandë të krijuar nga qeveria vitet e fundit, duke treguar Shqipërinë reale.

“Çfarëdo propagande që keni bërë ka rënë. Shqipëria e vërtetë, Shqipëria reale është ajo që flasin studentët që me të vërtetë ia çorën maskën qeverisë dhe propagandës. Që me të vërtetë bëri një detyrë ndoshta edhe më të mirë se ne; pasi arriti të godasë mu aty ku askush skish mundur të mbërrinte. Rinia shqiptare po zhbën propagandën që me aq mund ngriti qeveria. Sot, edhe ai gur i fundit që po ju mbante ka rënë!”, tha ajo.

Modifikuar më E Enjte, 20 December 2018 22:01
Login to post comments