Dekanati i Fakultetit të Histori - Filologjisë i është bashkuar sot protestës së studentëve. Në një deklaratë, të publikuar në rrjetet sociale që mban firmën e Dekanit, Prof. Dr. Sabri Laçi, thuhet:
Pas njohjes me diskutimet e zhvilluara në të gjitha departamentet, Dekanati i FHF-së deklaron se pedagogët:
Rikonfirmojnë mbështetjen e protestës së studentëve dhe të kërkesave të tyre të ligjshme.
Dënojnë ndërhyrjen e organeve të rendit në mjediset universitare dhe dhunimin e studentëve prej tyre.
Janë kundër çdolloj ndërhyrje dhe presioni që synon deformimin e vullnetit të lirë të studentëve.
Kërkojnë ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorët politikë dhe qeveritare, që synon intimidimin e mendimit të lirë.
Propozojnë ngritjen e një strukture me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve për trajtimin dhe adresimin e problematikave që po kalojnë IAL-të publike në RSH.
Rikonfirmojnë kërkesën për rishikimin thelbësor të Ligjit të Arsimit të Lartë në RSh.
I sigurojnë studentët për gatishmërinë e tyre në angazhimin për realizimin e objektivave të vitit akademik në vijim.