Ish-Presidenti Bujar Nishani u shpreh për Fax News se shteti ndodhet në situatën më problematike që prej vitit 1992 ku sipas tij, në asnjë rast nuk ka patur një situatë të tillë.
“Shteti ndodhet në situatën më problematike që është gjendur ndonjëherë. Është një situatë e papërgjegjshme e instaluar që prej vitit 2013 nga qeveria dhe Kryeministri i vendit. Garancitë kushtetuese janë cënuar dhe janë zhbërë që prej ardhjes së Ramës në pueshtet e në vijim.”
I pyetur për ngerçin politik midis Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, Nishani u shpreh se një opinion zyrtarë apo gjykim të tillë për situatën duhet t’a japë Gjykata Kushtetuese, sipas tij gjykimet personale nuk do të ishin të mirëfillta.
Precedenti i mungesës së Gjykatës Kushtetuese, argumenton Nishani, për të patur mundësinë e mbrojtjes së institucioneve është sipas tij një përgjegjësi e Ramës.
Ai shpjegoi edhe rastin e dekretimit të Fatmir Xhafajt në krye të Punëve të Brendshme në kohën kur Nishani ishte President duke thënë se, rasti i tij me Cakaj nuk janë të ngjashme sepse në atë kohë, argumenton ai, kishim Gjykatë Kushtetuese, rrethanat ishin të tjera ku kishte një ambjent dhe situatë jo aq emergjente sa ç’është sot sepse sot, sipas ish-presidentit, kemi një situatë emergjente institucionale dhe politike.
“Në rastin e Xhafajt unë bëra interpretimin tim kushtetues, çdo President bën interpretimin e tij kushtetues sepse Gjykata Kushtetuese ia njeh këtë të drejtë dhe ndërkohë, kur kjo gjykatë nuk është dakort me vendimin e Presidentit e rrëzon atë si institucioni vendimtar dhe si institucion i të drejtës përfundimtare në vend,” – u shpreh ish-presidenti.
Ai tha se, Presidenti mbi bazën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, gjykohet si vlerësues i parë i situatës politike. Askush, sipas tij, nuk ka të drejtë t’i bëjë gjykim aktit të Presidentit përveç gjykatës. “Vendimet e Kryeministrit janë dukshëm në shkelje të Kushtetutës. Rama emëron në krye të Ministrisë së Jashtme një djalë pa përvojë diplomatike dhe që ka mbajtur një qëndrim shqetësues në lidhje me kufijtë e Kosovës”.
Nishani tha se, sot Presidenti e ka ngritur qëndrimin e tij në bazë të interpretimit që i bën ai Kushtetutës. “Cakaj është shprehur pro ndryshimit të kufijve, kjo është një deklaratë që duhet ta interpretojë Gjykata Kushtetuese. Presidenti thjeshtë mban qëndrimin e vet. Fakti që sot jemi pa Gjykatë Kushtetuese është pasojë e vendimeve të Kryeministrit dhe përgjegjësi e tij. Emërimi është target i Kryeministrit, por për emërimet e ministrit të Jashtëm, të Mbrojtjes dhe të ministrit Brendshëm duhet të ketë një konsultim me Presidentin sepse lidhet me sigurinë kombëtare. Janë funksione që e lidhin ministrin specifik me detyrimet kushtetuese,” – tha Nishani.
Ai shtoi se Certifikata e Sigurisë është një akt i rëndësishëm pa të cilin nuk mund të ushtrosh funksione në poste kaq të larta
Lidhur me takimin që Rama zhvilloi përpara pak ditësh me trupën diplomatike në vend, ish-presidenti u shpreh se në një takim të tillë je i detyruar të respektosh kodet protokollare dhe kodin diplomatik.
“Këto janë takime që mbahen në të gjitha vendet demokratike të botës ku bëhet një bilanc i përgjithshëm i punës së bërë të qeverisë dhe ju komunikohet atyre pragrami i vitit në vijim edhe në raport me marrëdhëniet e mëtejshme me shtetet e tjera.
Në takimin e Kryeministrit me diplomatët nuk u përmend fare rrugëtimi dhe reformat që do të realizoheshin për plotësimin e kritereve që kërkon Bashkimi Europian për integrimin e vendit.
Gjithashtu ai nuk tha asnjë fjalë as për kuntributin e Shqipërisë NATO dhe qëndrimet që ajo do të mbajë në të ardhmen. Nuk tha asnjë fjalë as për thithjen e investimeve të huaja dhe çështjeve të tregtisë së vendit me vendet e tjera.
Rama tregoi që jo vetëm nuk e njeh formatin diplomatik, por organizon disa skema të prapranueshme në kodin diplomatik sepse kjo tregon kodin e marrëdhënieve diplomatike me vendet e zhvilluar. Pamë një Kryeministër që foli si një kryetar partie dhe jo si Kryeministri i vendit”.
Nishani komentoi edhe situatën lidhur me protestën e studentëve të cilët janë ngujuar nëpër fakultete nga ku kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre adresuar Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrit.
“Shpreh solidaritetin dhe shqetësimin e madh për situatën me studentët. Duhet të angazhohemi në radhë të parë për shëndetin e tyre pasi ata janë ngujuar në grevë. Gjithashtu përgëzoj dhe falenderoj edhe televizionin tuaj për komunikimin e gjithçkaje në mënyrë transparente në lidhje me gjithcka që shqetëson qytetarët e vendit,”- përfundoi Bujar Nishani.