"Punësimet partiake i kushtojnë 140 milion euro Buxhetit!"

Hënë, 14 Janar 2019 19:53

Nga Jorida Tabaku/

Ligji i parë që u amendua nga kryeministri Rama ishte pikërisht ai i Nepunesit Civil, të cilin kur ishte në opozitë e tërhoqi zvarrë për të mos lejuar Shqipërinë të çelte negociatat me BE. Ndërkohë që në shtator 2013 pak ditë pasi kishte formuar dhe kabinetin e tij e amendoi duke e larguar nga përcaktimet e qarta që BE kishte aprovuar për këtë ligj që ishte dhe mbetet një pikë kyçe për intergrimin e vendit në BE dhe gjithashtu për memorien institucionale.

Me sa duket, përgjimet e shfaqura nga Voice of America dëshmojnë se kryeministri Rama ka qenë më shumë i interesuar për të mbushur admnistratën shtetërore me militantë se sa për të integruar vendin në BE. Ndryshimet ligjore nuk ishin vetëm se emërimi i deputeteve apo stafit politik në emërimin e administratës civile. Sipas opendata që pasqyron lëvizjet e thesarit, buxheti i shtetit ka paguar nga viti 2014 deri më tani 17.5 mld lekë për pagat ndaj punonjësve të larguar arbitrarisht nga puna.

Janë mbi 17 mijë transaksione me vlerë mbi 140 mln euro që janë paguar nga buxheti i shtetit vetëm që kryeministri të kryejë punësime politike në administratë duke favorizuar njerëzit partiakë. Kjo sjellje është qartësisht në dëm të xhepit të shqiptarëve, buxhetit të shtetit dhe mbi të gjitha interesit tonë kombëtar. Administrata publike është një kërkesë e qartë e BE-së për procesin e integrimit, paanshmëria politike është një kërkesë e shqiptarëve për të pasur një administratë në shërbim të qeverisë dhe jo partisë. Me sa duket, Partia vjen mbi Atdheun, mbi integrimin për kryeministrin dhe qeverinë.

Login to post comments