Drejtoria e Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara (DSIK) është përfshirë së fundmi në një skandal, pasi pajisi brenda 24 orëve me certifikata sigurie Gent Cakajn, të propozuarin e Kryeministrit Rama për ministër të Jashtëm.
Në letrën e refuzimit të propozimit, Presidenti Meta zbuloi se jo vetëm që DSIK-ja nuk ka bërë “një proces të mirëfilltë verifikimi, sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar”, por edhe se zoti Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatat e sigurisë gjatë kohës që shërbente si zëvendësministër i për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Këto certifikata sigurie i japin zotit Cakaj akses në informacione të klasifikuara në nivel kombëtar, të BE-së dhe të NATO-s. Për këtë arsye, Presidenti Meta kërkoi tre ditë më parë, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së DSIK-së, drejtori i së cilës emërohet nga Kryeministri.
Megjithatë roli i DSIK është shumë më i gjerë sesa thjesht dhënia e certifikatave të sigurisë. DSIK është një nga institucionet kyçe në reformën në drejtësi, pasi i jep informacion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Në procesin e vetingut, DSIK është përgjegjëse për hartimin e një raporti vlerësimi për pastërtinë e figurës së magjistratëve – pra, nëse magjistrati ka pasur ndonjë kontakt “të pahijshëm” me krimin e organizuar. Bashkë me raportin e pasurisë së ILDKPKI-së, raporti i DSIK-së përbën bazën e procesit të vetingut që kryhet nga KPK-ja.
Në tetor 2016, Partia Demokratike e kundërshtoi përfshirjen e DSIK-së në procesin e vetingut, duke sqaruar se për sa kohë DSIK është nën varësinë direkte të Kryeministrit, përfshirja e saj në veting kërcënon pavarësinë e procesit. Për më tepër, DSIK mund të nxjerrë edhe informacione të klasifikuara për magjistratët, që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur nga organet e vetingut.
Duke e konsideruar këtë një shkelje të Kushtetutës, PD e ankimoi Ligjin e Vetingut në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e dërgoi më pas ligjin për shqyrtim tek Komisioni i Venecias.
Sipas PD-së, “përfshirja e këtyre institucioneve qeveritare [si DSIK] në procesin e vetingut, bie ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe me pavarësinë e sistemit gjyqësor.”
Duke pranuar shqetësimet e opozitës, Komisioni i Venecias në opinion e tij miqësor për Gjykatën Kushtetuese, kufizoi përdorimin e informacionit të klasifikuar për të shkarkuar magjistratët:
“Sidoqoftë mbetet shqetësimi se në rrethana të caktuara, sipas Nenit 39 (2) për vlerësimin e figurës, informacioni i mbledhur si rezultat i kontrollit të figurës “nuk duhet të zbulohet, nëse rrezikon sigurinë e burimit, ose është rezultat i një informacioni nga një qeveri e huaj”. Në këtë rast, institucionet e rivlerësimit mund të mos kenë mundësinë e rivlerësimit të pavarur dhe do të mund të mbështeteshin vetëm në vlerësimin e bërë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara (DSIK). Kështu, rregulli i ndalimit të zbulimit të informacionit mund të jetë i mundur vetëm nëse informacioni në fjalë është i favorshëm për vlerësuesin.”
“Sipas Komisionit të Venecias, organet e tjera si [ILDKPKI] ose [DSIK], të cilat janë të përfshirë në procesin e vetingut, duket se kanë funksione të dobishme dhe ndihmojnë institucionet e reja për të kryer punën e tyre të vështirë. Fuqia e vendimmarrjes në të gjitha rastet duket të mbetet tek Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe tek Kolegji i Apelimit, të themeluara për këtë qëllim në përputhje me dispozitat e Kushtetutës si organe gjyqësore të pavarura dhe të paanshme.”
Shqetësimet e opozitës lidhur me DSIK duket se konfirmohen nga ngjarjet e fundit. Jo vetëm që DSIK veproi nën urdhrin e Kryeministrit për t’i siguruar zotit Cakaj certifikata sigurie pa ndjekur procedurën ligjore, por ajo edhe lejoi që ai të ishte zëvendësministër për shtatë muaj pa pasur certifikatat e nevojshme. Në të dyja rastet, DSIK duket të ketë ndjekur urdhrat politik, pa pasur në mendje ruajtjen e sigurisë së vendit dhe aleatëve në NATO.
Tani që është vërtetuar se DSIK është e politizuar dhe nuk mund të jetë një arbitër neutral i besueshëm, pyetja është sa e dëmton kjo procesin e vetingut, i cili mbështetet shumë në vlerësimin e pastërtisë së figurës që bën DSIK-ja.
Sa gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar në bazë të vlerësimit të figurës së tyre? Dhe, ç’është akoma më shqetësuese, sa janë konfirmuar pasi në vlerësimin e figures së tyre kanë munguar informacione vendimtare, të fshehura për arsye politike?/Exit.al