Ministri i Jashtëm Holandës, një prej vendeve më skeptike për kushtet e plotësuara nga Shqipëria në rrugën drejt hapjes së negociatave, është shprehur ditën e sotme se nuk ka asnjë vendim, të paktën deri sa të shikohet raporti i KE-së.
Në një konferencë me Ditmir Bushatin, Stef Blok tha se raporti i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në reformat e kërkuara para hapjes së negociatave do të jetë vendimtar për votën e Holandës në Qershorin e vitit 2019.
“Pa pasur këtë raport në dorë nuk mund të them asgjë për qëndrimin tonë përfundimtar”, tha ai.
“Ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë, por në bazë të progresit të dukshëm dhe konkret. Të njëjtin mesazh u kam dhënë edhe vendeve të tjera aspiruese”, tha ai.
Ndërsa Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, u shpreh shpresëplotë për një vendim pozitiv të KE-së dhe vendeve anëtare në Qershor.