Basha: Shqipëria në krizë të thellë politike, fillojnë protesta popullore

E Enjte, 17 Janar 2019 12:38

Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një deklaratë për mediat pohoi se partia e tij është e vendosur që të luftojë krizën politike në vend.

Sipas Bashës, rruga e vetme për t’u përballur me qeverinë është bashkimi i qytetarëve për t’i dhënë fund kësaj fasade në protestat mbarëpopullore.

“Ditën e djeshme PD ka vendosur që të udhëheq protestat qytetare dhe do të parashtrojë një zgjidhje politike që do ta kemi në Këshillin kombëtar të PD dhe do kemi një mobilizim të opozitës së bashkuar. Kjo qeveri ka rënë para qytetarëve, para syve të Europës dhe gjithë botës.”, tha Basha.

Gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm holandez Stef Blok, lideri i PD-së tha se Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë politike, ndërsa u ndal tek seanca e djeshme e jashtëzakonshme plenare, ku opozita kërkoi fjalën për debat.

“Vjen një moment ku Shqipëria po zhytet në një krizë të thellë politike. Ngjarja e djeshme në Kuvend është asgjësimi i të drejtës së fjalës. Ndërkohë situata e përgjithshme mund të bëhet me dy fjalë; kapja e sistemeve dhe institucioneve. Ndaj nuk duhet të fshihen dhe të sheqerosen. Pasi asnjë të re nuk do të kemi nga fronti i perëndimit. Negociatat do të hapen për vendet e tjera dhe jo për Shqipërinë. Unë dhe PD jemi të vendosur që të ndalim krizën politike dhe krizën ekonomike të thellë. Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm përmes kthimit te vlerat europiane. Zgjedhje të lira, kontroll i qeverisjes nga qytetarët dhe garë e ndershme politike”, pohoi Basha.

Login to post comments