Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se qeveria ka rënë para syve të gjithë shqiptarëve, por edhe para botës dhe europës. Në një dalje për mediat, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Holandës, kryeopozitari u shpreh se qytetarët do ti japin goditjen përfundimtare qeverisë.
Basha: Rruga e vetme për tu përballur është rruga e angazhimit të gjithë, bashkimit të qytetarëve për ti dhënë fund kësja fasade. Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar. Për këtë arsye opozita vendosi të udhëheqë protestat qytetare deri në largimin e kësaj qeverie. Si kundër po bëhet gati për të parashtruar një zgjidhje politike për të cilën do të kemi një vendimmarrje konkrete në Këshillin Kombëtar të PD ditën e shtunë dhe do të kemi një mobilizim të opozitës në bashkëpunim me qytetarët.
Basha tha se protestat janë një mundësi për të folur me njerëzit dhe për të ndarë me vizionin për të nesërmen.
Basha: Unë jam i ndërgjegjshëm që shqiptarët nuk kërkojnë vetëm largimin e vetëm një njeriu, por largimin e një modeli dhe zëvendësimi i tij me një modeli që të punojë për ta. Modeli evropian. Sezoni i protestave që do nisë, do të jetë një mundësi për të folur me njerëzit, për të ndarë me ta vizionin dhe platformën tonë për të nesërmen.