Ka ndërruar jetë ish-ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan. Ai mori detyrën e kreut të delegacionit të BE në vendin tonë në shtator të vitit 2006, deri në shtator të 2010, detyrë që ia pasoi ambasadorit Ettore Sequi. “Delegacioni i BE-së është thellësisht i pikëlluar dhe i tronditur nga ndarja nga jeta e ish-ambasadorit Helmut Lohan. Ne kemi humbur një koleg, mik dhe një avokat të përkushtuar për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Mendimet tona dhe keqardhje e thellë për familjen e tij”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE.
Ish-kryeministri shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ambasadorit Lohan
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e ish-ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Helmut Lohan. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha shkruan se ambasadori Lohan ka dhënë një kontribut të madh për vendin tonë.
Ja statusi i Berishës:
Shqiperia humbi nje mik te çmuar!
Te dashur miq, me ndarjen nga jeta te ambasadorit Helmut Lohan, diplomatit qe kryesoi ne vitet 2006-2010 perfaqesine e Komisionit Europian ne Shqiperi, vendi yne ka humbur nje mik te çmuar.
Ambasador Lohan dha kontribut te çmuar ne perpjekjet tona per integrim ne BE, kompletimin e procesit te marreveshjes se Stabilizim Asociimit, pranimit te kerkeses per anetaresim ne BE dhe pyetsorit nga Komisioni Europian si dhe liberalizimit te vizave me zonen Shengen.
Duke shprehur mirenjohjen e thelle per mbeshtetjen e tij te çmuar ndaj vendit tone dhe ngushellimet me te sinqerta familjes te Ambasadorit Helmut Lohan, i lutem Zotit qe shpirti i tij te gjeje paqen e amshuar! sb