Genc Pollo: Rama dhe Vuçiç po punojnë për ndarjen e Kosovës

E mërkurë, 30 Janar 2019 14:43

Kryetari i Komisionit të Integrimit Evropian, Genc Pollo, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, akuzon kryeministrin për rolin negativ në bisedimet Kosovë-Serbi. Në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë, Pollo shprehet se, Rama nuk ka arritur asgjë konkrete

Politika e Jashtme e Shqipërisë, ditët e fundit është bërë subjekt i përplasjeve institucionale midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit Edi Rama. Kjo krizë institucionale çoi edhe në mos dekretimin, nga ana e Presidentit Meta, propozimit për Ministër të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj. Në këtë mënyrë, me një veprim të paprecedentë për transferimin e kompetencave ekzekutive, Rama ia delegoi përsëri Zv.ministrit Cakaj, funksionimin normal të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kjo qasje, nuk është pritur mirë nga ana e Presidencës, e cila për vendime të rëndësishme, duhet të shprehë mendimin e saj për përputhje ose jo me ligjin të një dekreti. Genc Pollo, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme, në një intervistë për gazetën “Shekulli” e shikon si një problem delegimin e kompetencave tek Cakaj. Pollo kritikon edhe qëndrimet e dyanshme të diplomacisë shqiptare në votimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, reagimi i diplomacisë shqiptare ndaj çështjes së Kosovës dhe marrëdhëniet me Greqinë, që sipas tij, kanë shumë nevojë që të rishikohen.

Intervista e plotë:

Pollo, si vlerësoni funksionimin e diplomacisë shqiptare, duke parë zhvillimet e fundit, si emërimi dhe delegimi i kompetencave tek zv.ministri i Jashtëm. Por edhe më parë u panë votime në OKB kundër rezolutave të SHBA?

Mendoj se deviacione si ai që ju përmendni ishin maja e ajsbergut. Tentativa për të emëruar Cakajn ministër dhe delegimi (i paligjshëm) i  tij si ministër na jep një pamje më të plotë të problemit.

Shqipëria vitin që vjen merr presidencën e OSBE-së. Çfarë do të thotë kjo dhe a ka kapacitetet e duhura Shqipëria për të drejtuar një institucion kaq të rëndësishëm?

Presidenca shqiptare e OSBE është një vlerësim pozitiv për vendin tonë e Ballkanin, si dhe një lloj balancimi rajonal meqenëse edhe Serbia ka mbajtur këtë presidencë në vitin 2015. Ndryshimi i papritur i ministrit mendoj se ka qenë surprizë e pakëndshme për shtetet anëtare që lobuan për Shqipërinë, pasi në një vend si i yni vazhdimësia në çështjet e OSBE-së ofron siguri e besim. Mbase për Francën e Gjermaninë ku ka burokraci funksionale, mund të jetë ndryshe, po për Ballkanin perceptimi është tjetër. Më kujtohet që në 2012, Shqipëria kishte presidencën e Këshillit të Europës dhe në mes të vitit ndryshoi ministri i Jashtëm. Ndërkombëtarët, edhe pse presidenca e KiE-s është shumë më pak sensitive se ajo e OSBE-s, u shqetësuan shumë.

Në lidhje me funksionimin e përfaqësive diplomatike jashtë vendit, a mendoni se ka ndonjë nevojë për ndryshim, në lidhje me strukturat dhe hetimin për rastet e korrupsionit, përmendim këtu Konsullatën e Shqipërisë në Milano, ku bëhej korrupsion me certifikatat familjare?

Lipset të merremi në fillim me balenat e pastaj me cironkat.

Si e komentoni qëndrimin e Politikës së Jashtme Shqiptare në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe opsionin e shkëmbimeve territoriale?

Atë qëndrim e dokumenton së fundmi lëvizja me Gent Cakajn në MPJ. Edhe më herët dukej qartë që Rama e Vuçiç punojnë nën rrogoz për ndarjen e Kosovës, tok me disa politikanë në Prishtinë. Një ish-ministër i Jashtëm serb, sot opozitar me Vuçiçin, në intervistë me një të përditshme austriake listonte edhe lobistët e pajtuar prej tyre që tentojnë të shesin këtë ide në Europë e SHBA. Tony Blair e Aleksandër Soros ishin dy syresh. Përkrahësit e kësaj ideje thonë se sjell paqe afatgjatë në rajon e mbyllje të problemeve të hapura nga shpërbërja e Jugosllavisë. Ndër ta ka edhe ndërkombëtarë duke filluar nga Brukseli. Përkrahësit mund të jenë naivë ose cinikë. Naivët nuk e kuptojnë rrezikun e dëmin që sjell një nismë e tillë për paqen e stabilitetin në rajon, dhe nuk duan të shikojnë se ajo shkel shumë vlera të Europës së Bashkuar. Cinikët e kuptojnë fare mirë të keqen, por duan se s’bën përfitimin e tyre ( jo të popujve të tyre)  afatshkurtër. Cinikëve as nuk ua ndjen fare për vlerat europiane çka e demonstrojnë përditë.

Çështja më sensitive për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë është çështje e Zonës Ekonomike Ekskluzive. Në cilën fazë është kjo marrëveshje dhe pse në disa dalje publike, Zv.ministri j jashtëm i Greqisë, Georgios Kautrougulis, përmend shpesh herë se Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale në 12 milje?

Me Greqinë qeveria Rama arriti një precedent inkompetence: tre vitet e para u angazhua në një luftë verbale të pakuptueshme e të padobishme. Pastaj vrik kaloi në puthje e përqafime, valle e mandolina. Pa asnjë rezultat konkret! Qeveria nuk ka raportuar në Kuvend për marrëveshjen e negociuar së fundmi se nuk ka bërë transparencë për të. Por sipas informacioneve të ndryshme, qeveria i ka lëshuar shumë sipërfaqe detare Greqisë, përtej kufirit që përcaktoi marrëveshja e shfuqizuar nga Kushtetuesja; me kërkesë të Sajmir Tahirit e Ditmir Bushatit.

Pollo, cilat duhet të jenë hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të fituar hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, këtë verë?

Ju ftoj edhe ju të mendoni e të gjeni pse kurrkush nga qeveria nuk flet një fjalë për punën konkrete për të përmbushur kërkesat e Këshillit Europian të qershorit të vitit të kaluar. Në fjalimin kilometrik të janarit para trupit diplomatik, Rama foli sikur shtetet anëtare të BE-së do të përmbushin një detyrim të vonuar duke marrë vendim pozitiv. Dhe nuk do të kuptojë se ata që refuzuan dy herë rekomandimin e Komisionit Europian kanë vendosur kushtet e tyre. Dhe në fakt nuk ka përpjekje nga qeveria në këtë drejtim siç besoj, do të provohet së afërmi në Komisionin e Integrimit Europian.

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...