Pas shtyrjes për të pestën herë radhazi të hetimeve nga Prokuroria për Saimir Tahirin, i cili dyshohet si i përfshirë në trafikun e drogës, ka reaguar Partia Demokratike.
Në një deklaratë për median, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, u shpreh se Edi Rama dhe Partia Socialiste refuzojnë kërkesën e PD për ngritjen e komisionin hetimor për rolin e Tahirit në trafikun e drogës.
Sipas Spahos, “qëllimi i Edi Ramës është të fshehë të vërtetën që e dinë të gjithë se zgjedhjet u blenë me paratë e drogës”.
Deklarata e plotë e Edmond Spahos:
Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë ndërtuar një skemë për të zvarritur hetimet ndaj Saimir Tahirit me shpresën për ta shpëtuar atë nga burgu dhe më pas edhe veten e tij.
Sot, ushtarët e Edi Ramës në konferencën e kryetarëve refuzuan ngritjen pa vonesë të komisionit hetimor për Saimir Tahirin.
Në përpjekje për ta zvarritur sërish të drejtën kushtetuese të opozitës për të kontrolluar qeverisjen, që në këtë rast është bashkëqeverisje me bandat, Partia Socialiste kërkoi kohë për t’u njohur me kërkesën tonë për komision hetimor.
Pasi e bllokuan për gati një vit hetimin nga parlamenti të veprimeve të Saimir Sahirit dhe Edi Ramës për trafikun e drogës, duke mos na vënë në dispozicion asnjë dokument, kërkuan që të njihen me ndryshimet që ne kemi paraqitur në kërkesën për komision hetimor, megjithëse kërkesa është depozituar që në datën 1 Shkurt 2019.
Ndryshimet tona nuk janë thelbësore. Ato kanë të bëjnë:
Me kohën e hetimit, që nga 6 muaj, bëhet 3 muaj
Me numrin e deputetëve që nga 9, bëhet 11
Me ngushtimin e kohës për të cilën do të hetohet, nga e papërcaktuar, në 2014-2018.
Skema për të zvarritur hetimin parlamentar për Saimir Tahirin dhe lidhjet e tij me trafikun e drogës është e njëjta që po ndiqet edhe në prokurori. Përtej shoë-ut që ndiqni në ekrane për afate të reja hetimi apo ankesa fallso kundër prokurorisë, gjithçka është skemë.
Partia Demokratike e ka paralajmëruar se Donika Prela, që duhet të ishte nën hetim për pastrim parash dhe favorizim të bandave, po bëhet gati të lirojë Tahirin nga akuza e drogës dhe, në rastin më të keq, do t’i ngarkojnë një akuzë banale, si shpërdorimi i detyrës.
Edi Rama ka vendosur çdo institucion në shërbim të Tahirit, për të mbrojtur veten e tij nga drejtësia.
Ka vendosur parlamentin, ku zvarrit dhe i mohon opozitës të drejtën për komision hetimor.
Ka vendosur prokurorinë, ku bëhet shoë me të vërtetën që shqiptarët e kanë mësuar prej kohësh: se Edi Rama, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe pjesa tjerër e bandës, kanë blerë zgjedhjet me paratë drogës.
Në 16 shkurt është dita që t’i japim fund kësaj maskarade dhe të bashkohemi për të mos lejuar asnjë nga këta bashkëpunëtorë të krimit të marrin peng të ardhmen tonë dhe të fëmijeve tanë.