Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Nuk është se nuk pritej. Miratimi në parlament i reformës zgjedhore nuk duket as në horizont, për mos të folur pastaj për zbatimin e saj.
Vitin e kaluar, deputeti socialist Taulant Balla i premtoi Komisionerit të BE-së për Çështjet e Jashtme, David McAllister, dhe atij për Zgjerimin, Johannes Hahn, se reforma zgjedhore do të kalonte me konsensus para Krishtlindjeve të vitit 2018.
Megjithatë, asgjë nuk ka ndodhur deri më tani.
Reforma zgjedhore, e cila supozohet të ndjekë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it pas zgjedhjeve të 2013, 2015 dhe 2017, është kthyer edhe mbase në kushtin e vetëm më të rëndësishëm për t’u përmbushur nga qeveria shqiptare para hapjes së mundshme të negociatave në qershor 2019.
Në korrik 2018, Reporteri për Shqipërinë në parlamentin gjerman, Thorsten Frei, deklaroi se “takimi i parë për pranimin do të zhvillohet vetëm pasi zgjedhjet lokale të zhvillohen, në bazë reformës së re zgjedhore të miratuar në mënyrë konsensuale”.
Ky qëndrim u ritheksua nga Parlamenti Europian në tetor të vitit 2018, kur Komisioni Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, këmbënguli tek “nevoja për të zbatuar në kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që janë ende të pazbatuara, nga raportet e ndryshme paszgjedhjore, veçanërisht ato që lidhen me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave dhe votimin jashtë vendit”.
Së fundmi, pas një takimi me deputetin Taulant Balla dhe Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi, edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth theksoi rëndësinë e reformës zgjedhore të miratuar nga të dyja palët,
Le të kujtojmë se në prill 2018, Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi një botim me titullin alarmant “Jemi vonë”. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë fjalë nga Komisioni Parlamentar Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore për ndonjë propozim të përbashkët opozitë-mazhorancë.
Zhvillimi më i fundit në Komision është më 1 shkurt, kur PS-ja ndërroi kryetarin e saj të Komisionit, pasi ish-bashkëkryetari Bledi Çuçi u bë Ministër i Bujqësisë. Kjo tregon qartë vlerën që kjo reformë ka për Partinë Socialiste.
Propozimet e OSBE-ODIHR-it përfshijnë depolitizimin e plotë të të gjitha organeve zgjedhore. Megjithatë, teksa zgjedhjet e 30 qershorit po afrohen dhe vetëm 5 muaj kanë mbetur, të gjitha institucionet e vjetra të politizuara kanë nisur përgatitjet për to. Në janar, për shembull, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili është plotësisht nën kontroll politik, përcaktoi dokumentet zgjedhore dhe zonat zgjedhore.
Kjo do të thotë se, pavarësisht se ç’mund të ndodhë më pas, faktikisht reforma ka dështuar që përpara se të niste. Koha ka mbaruar./Marrë nga Exit.al